Emrat e kandidatëve për president të vendit do të bëhen shumë shpejt publik. Nesër Partia Socialiste do të mbledhë grupin parlamentar, ku deputetët do të propozojnë tre emra për kandidatë për presidentë. Kryetari i grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka ftuar për konsultime për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit edhe publikun, ku i është kërkuar që të propozojnë një emër që ato duan dhe ta dërgojnë në adresën e email grupips@parlament.al. Konsultime do të zhvillohen edhe me shoqërinë civile. Balla ka përjashtuar konsultimet me Sali Berishën, ndërsa ka pohuar se do t’i zhvillojnë me Alibeajn.
‘Nesër do të marrim propozimet e para me emrat konkret nga anëtarët e PS-së. Në një zarf çdo deputet i grupit të PS përmes një formulari propozues do të ketë mundësinë që të propozojë jo më shumë se 3 kandidatë, qofshin zonja apo zotërinj. Ky duhet të jetë një proces konsultimi brenda për brenda grupit parlamentar. Nesër do ti depozitojmë në sekretari, ku do të vlerësohen të gjithë emrat. Në duam të nxisim edhe publikun që do të bëhet pjesë e këtij procesi, ku mund të shkruajnë në adresën tonë të emali, që të sjellin propozimet e tyre. E ftuar do të jetë edhe shoqëria civile’- u shpreh Balla.
Raundet dhe procedura si zgjidhet Presidenti i ri, kërkohen 84 vota por mjaftojnë edhe 71
Sipas Kushtetutës procesi i zgjedhjes së Presidentit të Republikës në Kuvend nis jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit të Presidentit aktual. Domethënë në rastin konkret procedura duhet të nisë para datës 24 maj.
Pas përcaktimit të datës së raundit të parë në zbatim të nenit 87 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, një grup me jo më pak se 20 deputetë ka të drejtën t’i propozojë Kuvendit kandidaturën për President të Republikës së Shqipërisë. Një deputet nuk mund të propozojë më shumë se 1 kandidat për Presidenti. Kushtetuta e Shqipërisë parashikon që raundi konsiderohet i bërë edhe nëse nuk paraqitet asnjë kandidat. Pra opozita nuk e bllokon procesin as me mos pjesëmarrjen e saj në seancë, që do ta bënte të pamundur plotësimin e kuorumit në 3 raundet e para, 84 vota.
Në mënyrë më të hollësishme, neni 87 i Kushtetutës dhe neni 109 i Rregullores së Kuvendit, parashikojnë rregullat mbi procedurën e zhvillimit të raundeve të votimit si edhe shumicën e kërkuar në secilin prej raundeve. Kushtetuta përcakton se janë pesë raunde për zgjidhjen e Presidentit. Në tre raundet e para kërkohet një shumicë prej 3/5, 84 vota, ndërsa në dy e tjera, të katërtin dhe të pestin, presidenti mund të zgjidhet me 71 vota. Raundet nga njëri tjetri duhet të zhvillohet brenda 7 ditëve, që do të thotë se Presidenti i ri i Republikës në muajin maj do të jetë votuar nga Kuvendi.
Votimi për secilin raund bëhet i fshehtë dhe pa debate. Votimi quhet i kryer edhe kur në Kuvend nuk paraqitet asnjë kandidaturë. Tashmë priten emrat e kandidatëve për Presidentin e ri të vendit.