Presidenti i zgjedhur Joe Biden ka në plan të përcjellë një vizion “pozitiv e optimist” për vendin në fjalimin e inaugurimit të mërkurën dhe do të përpiqet “të kthejë një faqe të re, përkundrejt përçarjeve dhe urrejtjes së katër viteve të fundit,” gjatë presidencës Trump, tha të dielën një ndihmëse e zotit Biden.

Kate Bedingfield, drejtoreshë për komunikimet për administratën e ardhshme Biden, tha në intervistë me rrjetin ABC se presidenti i ardhshëm do të prezantojë “një rrugë përpara që na fton të gjithëve të bashkohemi”.

Ajo shtoi “Mendoj se këtë duan amerikanët në të gjithë vendin. Ata duan një qeveri që përsëri është e përqëndruar tek ato që duhen dhe për të ndihmuar njerëzit për jetën e përditshme”. “81 milionë amerikanë votuan për Presidentin e zgjedhur Biden pjesërisht sepse po parashtronte një vizion që na çon në një pikë ku të punojmë së bashku,” tha zonja Bedingfield.

Presidenti i zgjedhur Biden do të bëjë betimin në shkallët perëndimore të Kapitolit më 20 janar në një ceremoni që mishëron një traditë të gjatë të demokracisë amerikane. Këtë radhë ceremonia zhvillohet në një klimë tensionesh pas sulmit të dhunshëm nga protestuesit pro-Presidentit Trump në Kapitol më 6 janar.

Zona përreth Kapitolit ku Joe Biden do të bëjë betimin është kthyer në një zonë të militarizuar, e rrethuar me gardhe e barriera mbrojtëse, e bllokuar për këmbësorë e makina dhe e mbrojtur nga mijëra forca të armatosura të Gardës Kombëtare.

Artikulli paraprakPAS DITËVE TË FTOHTA PRITET RIKTHIMI I RESHJEVE TË SHIUT! KESH: PO MARRIM MASA T’I PARAPRIJMË SITUATËS
Artikulli tjetërFACEBOOK BLLOKON NGJARJET QË MUND TË MBAHEN AFËR VENDIT TË INAUGURIMIT TË BIDEN