Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta gjatë vizitës së tij në Uashington D.C mbajti një ligjëratë si i Ftuar Nderi i Qendrës së Analizave Politike Europiane (CEPA) në Universitetin ‘John Hopkins’.
Në aktivitet ishin të pranishëm diplomatë, ambasadorë, analistë dhe studiues politikë diplomatë, studentë, etj.,
Gjatë ligjëratës së tij, Presidenti Meta paraqiti këndvështrimin e tij mbi realitetin politik, ekonomik dhe social të rajonit tonë.
Fjala e plotë e Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta:
I nderuar profesor Mark Stout,
I nderuar Ambasadori Reka Szajnenyi,
Të nderuar të ftuar të pranishëm!
Është kënaqësi dhe një mundësi e rrallë t’i drejtohem sot audiencës suaj në Universitetin John Hopkins, në një veprimtari të tillë të organizuar nga qendra e respektuar e SHBA për Analizën e Politikave Europiane, me shpresën që të nxjerr në pah disa zhvillime të rëndësishme që kanë të bëjnë me Shqipërinë dhe me rajonin tonë në ditët e sotme.
Unë do të doja ta vlerësoja Qendrën si një analizë-bërë se kryesore dhe udhëheqëse në politikën amerikane për Europën si dhe ta shfrytëzoja këtë mundësi për të përshëndetur disa nga anëtarët tuaj, të cilët i njoh prej vitesh si Sekretaren Albright, Karl Bilt-in, Januzs Bugajski-in dhe shumë e shumë të tjerë.
Vëzhgime të hollësishme mbi Ballkanin
Të japësh një ide apo vëzhgime të hollësishme për Ballkanin është gjithmonë sipërmarrje sfiduese.
Kur flitet për Ballkanin, duhet t’i referohesh patjetër së tashmes, por pa lënë mënjanë gjithashtu e pa humbur kurrë nga vëmendja kontekstin e së kaluarës së tij.
Vëzhgimi mbi Ballkanin fillon me një fjali kyçe, të cilin nuk e has edhe aq shpesh: Ballkani është një punë ende e papërfunduar.
Me tre zhvillime të rëndësishme që po ndodhin në të në vazhdimësi, si dhe me procese të hapura integruese në NATO dhe në Bashkimin Europian, Ballkani mbetet ende një punë e papërfunduar.
Më lejoni të theksoj shkurtimisht se ngjarjet më të spikatura në këtë rajon në epokën pas mbarimit të Luftës së Ftohtë ishin:
Prania e NATO-s, perspektiva europiane që iu ofrua rajonit si dhe angazhimi ndaj një bashkëpunimi ekonomik rajonal mes vendeve të tij.
Dua të theksoj faktin se ndërhyrja e NATO-s dhe veçanërisht përfshirja e SHBA-së, dhe ajo e mëvonshme e BE-së, ishin jetësore për Ballkanin atëherë, siç janë domethënëse e të lidhura me të edhe tani.Ishte kjo përfshirje vendimtare dhe e vendosur, e cila shpëtoi Ballkanin nga shndërrimi i tij në Lindjen e Mesme të Europës.
Arkitektura e sigurisë u mbështet nga proceset e integrimit europian, për t’ia ankoruar plotësisht dhe me vendosmëri këtë rajon vlerave dhe standardeve perëndimore.
Me zhvillimin e përparimin e këtyre proceseve, shqiptarët u shfaqën si një faktor i fortë stabilizues në rajon, duke jetuar në pesë shtete dhe në territore ngjitur me njëri-tjetrin.
Rajoni ynë e ka ndryshuar mozaikun e vet pas pavarësisë së Kosovës;
shqiptarët në Maqedoni u bënë një faktor përbërës e kushtetues; në Malin e Zi ata kanë qenë një faktor kyç i domosdoshëm që ai vend të ruajë e të mbajë drejtimin për në NATO dhe të ecë përgjatë rrugëtimit europian.
Më lejoni të theksoj se faktori shqiptar ka qenë dhe vazhdon të jetë një katalizator jetik për ta zgjeruar hapësirën e kufijve të NATO-s dhe BE-së në këtë rajon, pasi NATO-ja dhe BE-ja mbeten bazat e qëndrueshmërisë në Ballkanin Perëndimor.
Teksa rajoni po hyn në fazën e vet të konsolidimit – me Kroacinë, Shqipërinë, Malin e Zi vende anëtare të NATO-s dhe me shpresën se së shpejti edhe Maqedonia do të bëhet e tillë – me Kroacinë si një anëtare të BE-së dhe me Serbinë dhe Malin e Zi që po negociojnë kapitujt e futjes së tyre në BE, për cilat shpresohet do të ndiqen së shpejti edhe nga Shqipëria e Maqedonia; me marrëveshjet e Stabilizim-Asociimit dhe proceset përkatëse me Kosovën dhe Bosnje-Hercegovinën, që po ndodhin sakaq–si dhe me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, të udhëhequr nga Bashkimi Europian që po hyjnë në fazat e tyre përfundimtare- nevojiten përpjekje dhe vëmendje shtesë për ta përmbushur punën ende të papërfunduar në Ballkan.
Mendoj se propozimi më i fundit për të hapur një debat të ri mbi atë çfarë do të përbënte një marrëveshje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është kohë e çuar dëm, në kuptimin më të mirë të fjalës, si dhe do të përbënte çelësin e hapjes së Kutisë së Pandorës, në kuptimin më të keq të saj.
Hapja e një debati të tillë në një kohë kur po valëviten lart flamuj të kuq paralajmërues nga SHBA-ja dhe BE-ja rreth përfshirjes së aktorëve të tretë, të cilët përpiqen të nëpërkëmbin stabilitetin dhe sigurinë në rajon, e bëjnë atë edhe më alarmues.
Më lejoni që ta përmbledh duke nxjerrë në pah faktin se Kosova e fitoi pavarësinë e saj për shkak të ndërhyrjes së pakompromis të NATO-s dhe veçanërisht të SHBA-ve, në përgjigje ndaj gjenocidit të Millosheviçit.
Pra, së pari ka pasur genocid dhe luftë, dhe pastaj kishim Paketën e Ahtisarit, e cila shtroi rrugën drejt pavarësisë.Shpejt Kosova u njoh nga shumica e vendeve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, përfshi 23 vende nga 28 shtetet anëtare të BE-së si dhe nga fqinjët e saj, me përjashtim të Serbisë.
Kosova është anëtare e një numri organizatash rajonale dhe ndërkombëtare.
Ajo ka procesin e vet të Stabilizimit dhe Asociimit me BE-në.
Sikurse gëzon legjitimitetin e saj duke qenë e njohur dhe e pranuar nga organi kryesor gjyqësor i Kombeve të Bashkuara, nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.
Në opinionin e saj këshillues të marrë pas kërkesës së bërë nga Serbia, GJND-ja deklaroi në mënyrë të qartë se pavarësia e Kosovës është në pajtim me të drejtën ndërkombëtare.
Pra, kjo ishte më shumë sesa thjesht një akt politik legjitim: ishte akti i duhur ligjor.
Ishte ky mendim i GJND-së në vitin 2010, i cili çoi në vendosjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë më 2011-n, dialog i udhëhequr nga Bashkimi Europian.
Qëllimi i këtij dialogu ishte të lehtësonte normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve, në përputhje dhe i mbështetur në këtë realitet; jo për ta zhbërë dhe as për ta ndryshuar atë.
Kjo marrëveshje duhet të respektojë vlerat dhe parimet e Bashkimit Europian, të mundësojë shkëputjen nga e kaluara si dhe të mishërojë energji pozitive që inkurajojnë bashkëjetesën dhe harmoninë ndëretnike.
Do të ishte e paimagjinueshme që ky dialog të prodhonte një marrëveshje, e cilado të ndryshonte kufijtë sipas vijave etnike, duke shkuar kundër të gjithë konceptit të BE-së, ashtu siç e njohim ne.
Kufijtë nuk janë çështje përkufizimi dhe shënimi të hartës; për ta bërë atë gjë do të mjaftonte thjesht një kompjuter.
Kjo çështje ka të bëjë me popujt dhe jetën e tyre të përditshme, me pronën e tyre, historinë e tyre, kujtimet e së kaluarës dhe varret e të parëve të tyre si dhe me krenarinë e tyre.
Marrëveshjet që ndryshojnë kufirin nuk janë çështje e përkufizimit të tyre; ato janë një çështje e zbatimit të tyre.
Rezultati i referendumit në Maqedoni duhet të shërbejë si një sinjal zgjimi duke na rikujtuar se edhe marrëveshjet më të mira të mundshme e me mbështetje të qartë dhe të gjerë ndërkombëtare, nuk janë edhe aq të lehta për t’u zbatuar në një kontekst të ndërlikuar.
Shpresoj se edhe kjo marrëveshje do të gjejë rrugën e saj në Parlamentin maqedonas dhe do t’i hapë Maqedonisë dyert për në NATO dhe BE.
Gjithashtu e vlerësoj faktin se ata që morën pjesë në këtë referendum, mbështetën qartazi këtë rrugë duke votuar në favor të kësaj marrëveshjeje.
Nga ana e vet, NATO-ja, BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të vazhdojnë mbështetjen e tyre për Maqedoninë, duke mundësuar e siguruar suksesin e një investimi afatgjatë për stabilitetin e atij vendi dhe të rajonit.
Kur i them të gjitha këto, jam realist në njohjen dhe pranimin e faktit se Ballkani nuk është as rajoni më i rëndësishëm dheas pika më e nxehtë e botës.
Por Ballkani është rajoni ku Perëndimi, NATO-ja, SHBA-ja dhe BE-ja kanë bërë investimet më të shumta historike politike, ushtarake dhe ekonomike pas viteve 1990-të.
Nëse Perëndimi nuk do të jetë në gjendje ta realizojë plotësisht këtë projekt strategjik në hapësirën dhe zonët e vet, atëherë si mund ta ruajë e ta mbajë influencën e vet dhe të ndikojë në rajone të tjera që shtrihen edhe më tej në jug apo tutje në lindje?
Bashkëpunimi rajonal për vendet tona në Ballkan, është çelësi për të shëruar plagët e konflikteve të së kaluarës dhe është e vetmja mënyrë për t’u përballur me sfidat e së ardhmes.
Rruga e integrimit europian ka qenë një forcë shtytëse dhe nxitëse për vendet tona në rajon që të përqafojnë proceset e demokratizimit dhe të gëzojnë një begati afatgjatë ekonomike.
Ne jemi të vetëdijshëm se vetëm paqja dhe qëndrueshmëria nuk janë të mjaftueshme për të përmbushur pritshmëritë e qytetarëve tanë.
Po përballemi me sfida serioze, në veçanti me emigrimin e rinisë dhe punësimin e të rinjve tanë.
Në këtë drejtim, na duhet të bëjmë më shumë për të thithur investime të huaja në rajon përmes projekteve strategjike konkrete në energji, të infrastrukturës, të prodhimit me dorë të mallrave, turizmit dhe sektorit të shërbimeve.
Gazsjellësi Trans-Adriatik (TAP-i) është një nga projektet më të rëndësishme gjeo-strategjike në fushën e energjisë për të gjithë rajonin dhe më gjerë. Ky investim e tejkalon vlerën 1 miliard dollarë vetëm në Shqipëri.
Një pjesë e Korridorit Jugor të Gazit, që sjell gazin nga Shah Denizi (Deti Kaspik) – Azerbajxhani, përmes Turqisë, Greqisë, Shqipërisë dhe Italisë – duke synuar tregun italian dhe europian, ky projekt jo vetëm që do të diversifikojë furnizimin e gazit për mbarë Europën, por do ta bëjë atë më pak të varur nga furnizimi me gaz rus.
Gazsjellësi Adriatiko-Jonian është një tjetër shembull i bashkëpunimit ekonomik rajonal në fushën e energjisë.
Projekti sapo ka përfunduar studimin e fizibilitetit dhe do të kërkojnë angazhimin,
financimin dhe investimet nga Shqipëria, Mali i Zi dhe Kroacia për të sjellë gazin nga Kroacia në Shqipëri si dhe anasjelltas – duke u lidhur me TAP-in.
Duke qenë një treg modest prej afërsisht 20 milionë konsumatorësh, ne nuk mund të përballojmë të konkurrojmë me njëri-tjetrin për tërheqjen dhe thithjen e kompanive të mëdha shumëkombëshe, përkundrazi ne duhet të krijojmë si nergji për një qasje rajonale ndaj investimeve të drejtpërdrejta të huaja, duke harmonizuar praktikat tregtare dhe duke zhvilluar sektorët kryesorë potencialë të fuqisë punëtore.
Me gjithë rritjen e përgjithshme në volumin e tregtisë dhe të investimeve, rajoni ynë ende nuk ka shfrytëzuar potencialet që ka për investimet e huaja të drejtpërdrejta.
Kjo është alternativa e vetme për të krijuar ‘BE-në tonë të vogël’ brenda vendeve tona si dhe për interesa e në të mirë të qytetarëve tanë.
Në shumë mënyra, Shqipëria ka qenë një vend kryesor dhe prijës në ushqimin dhe nxitjen e bashkëpunimit rajonal në fushat me interes të ndërsjellë.
Gjatë viteve të fundit, qeveria shqiptare ka organizuar takime të përbashkëta me qeveritë fqinje si dhe ka nënshkruar disa marrëveshje për nxitjen e tregtisë dhe të investimeve reciproke.
Kemi ndërmarrë hapa dhe nisma të njëanshme pozitive për të mundësuar dhe lehtësuar një bashkëpunim të tillë.
Në këtë drejtim, dy dekadat e fundit kanë shënuar një përparim të jashtëzakonshëm. Dëshmi e një bashkëpunimi të tillë janë shumë nisma rajonale dhe politika liberalizuese për të lehtësuar lëvizjen e qytetarëve dhe mallrave në hapësirën tonë.
Vendet e rajonit tonë (duke përfshirë Shqipërinë) janë pjesë e CEFTA-s (Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Europës Qendrore), e cila është e rëndësishme për rrugën tonë të integrimit në BE. Qysh atëherë, lidhjet ekonomike dhe tregtare janë forcuar në rajon.
Megjithëse nuk pajtohemi apo nuk kemi të njëjtat pikëpamje për çështje të veçanta, bashkëpunimi rajonal nuk ka qenë kurrë i ngrirë apo të ketë mbetur në vend, përkundrazi ai ka ecur para.
Bashkimi Europian ka qenë instrumental në rritjen e këtij bashkëpunimi, përmes mekanizmave të ndryshëm, mes të cilëve më i fundit është Procesi i Berlinit.
Procesi i Berlinit, pavarësisht se nuk shërben si zëvendësim i zgjerimit të BE-së, ndërtoi një platformë të projekteve ambicioze ndër-rajonale në drejtim të lidhjes dhe ndërveprimit.
Procesi i Berlinit, duke kombinuar pronësinë rajonale lokale dhe mbështetjen financiare dhe politike e BE-së, krijoi një moment të ri të vrullshëm bashkëpunimi midis vendeve tona.
Në kuadër të Procesit të Berlinit, një projekt strategjik që i është dhënë drita jeshile është edhe autostrada ‘Korridori Blu’, që fillon nga Kroacia e zgjatet deri në Shqipëri, duke përfunduar në kufirin me Greqinë.
Ideja është që të kemi një autostradë sipas standardeve të BE-së, e cila do të shkurtonte gjithë rrugën që shtrihet nëpër linjën bregdetare Adriatiko-Joniane në mënyrë që turizmi, tregtia dhe ekonomia në të gjitha vendet tona të rriten e të marrin hov.
Një nga sfidat më të mëdha të rajonit tonë është emigracioni i paligjshëm, sidomos ai për Mesdheun.
Këto dukuri kërkojnë përpjekje të përbashkëta për të mbrojtur civilët, gratë dhe fëmijët, por gjithashtu ato kanë nevojë për një bashkërendim edhe më të fuqishëm për të luftuar emigrimin e paligjshëm, trafikun e drogave dhe terrorizmit ndërkombëtar, të cilat rrezikojnë të gjithë rajonin dhe sjellin pasiguri dhe paqëndrueshmëri në vendet tona.
Shqipëria i është bashkëngjitur menjëherë Koalicionit Botëror kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe po kontribuon në luftën kundër ISIS-it.
Bashkëpunimi rajonal kundër terrorizmit, ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit është një sfidë e madhe, pasi rajoni sot mbetet një objektiv i këtyre ndikimeve, që minojnë sigurinë dhe qëndrueshmërinë.
Bashkëpunimi kundër trafiqeve të paligjshme dhe krimit të organizuar ndërkufitar mbeten ende sfida, të cilat kërkojnë një bashkëpunim të ngushtë dhe të fuqishëm nga të gjitha vendet e rajonit.
Në fund, dëshiroj të them edhe diçka tjetër.
Ndërsa u përqendrova në çështjet përkatëse të sigurisë në Ballkan, jam i bindur se të gjithë biem në një mendje se këto nuk janë të vetmet sfida të këtij rajoni.
Duhet bërë më tepër për demokracinë, sundimin e ligjit, ekonominë e tregut dhe të drejtat e njeriut si dhe për shumë fusha të tjera.
Në këtë drejtim, unë mendoj se të gjitha vendet tona duhet të përqendrohen më shumë në reformat e brendshme, me anë të të cilave përballemi me sfidat që kemi. Para vizitës sime në SHBA, u takova me Atin e Shenjtë, Papa Françeskun, i cili ndau me mua me shumë takt shqetësimin e tij për atë që e quajti ‘dimri demografik i Europës’, një dukuri që po prek edhe vendet tona.
Papa Françesku, me plot të drejtë, duke sjellë ndërmend vizitën e tij në Tiranë katër vjet më parë, më tha se kishte parë shumë të rinj atje, kështu që duhet bërë çdo gjë që është e mundur për të parandaluar largimin e tyre nga vendi.
Kjo është një sfidë e madhe për Shqipërinë, por edhe për vendet e rajonit, për të shkurajuar largimin e të rinjve si dhe për të krijuar mundësi të reja për ta, nëpërmjet politikave më të mira zhvillimore, përgatitjes së tyre profesionale, promovimit të punësimit dhe krijimit të vendeve të reja e të mirëpaguara pune.
Më e rëndësishmja është t’u japim të rinjve mesazhin e sigurisë për të ardhmen e tyre, gjë që vjen dhe mund të bëhet e mundur vetëm nëpërmjet forcimit të bashkëpunimit, marrëdhëniet të mira fqinjësore, si dhe bashkëjetesës ndëretnike dhe respektimit të pakicave kombëtare.