Presidenti Meta dekreton shefin e ri të Shtabit të Përgjithshëm të FA
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka dekretuar shef të Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Brigade Bardhyl Kollçakun, i cili zëvendëson në këtë post gjeneralmajor Jeronim Bazo. Kollçaku ka një karrierë të gjatë ushtarake. Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka dekretuar sot Gjeneral Brigade Bardhyl Myrteza Kollçakun në postin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm. Sipas njoftimit të Presidencës, shefi i ri i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Gjeneral Brigade Kollçaku në karrierën e tij të gjatë e të spikatur ushtarake, pas përfundimit të Akademisë Ushtarake në vitin 1990 si oficer zbulimi taktik, ka shërbyer si Drejtor i Drejtorisë J5/8 në Shtabin e Përgjithshëm, para se të kryente detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Inteligjencës, Sigurisë dhe Mbrojtjes (AISM) në vitin 2015. Gjithashtu Gjeneral Brigade Kollçaku ka mbajtur edhe pozicione të ndryshme në nivel shtabi brigade (Shef Zbulimi), Drejtor i Drejtorisë J2 dhe Drejtorisë J3 në Shtabin e Përgjithshëm, si dhe Shef Sektori në Drejtorinë e Bashkëpunimit Ndërkombëtar, duke shërbyer edhe në pozicione të tjera të rëndësishme në mjedise ndërkombëtare e shumëkombëshe. Në kuadër të NATO-s, detyra e tij e fundit ka qenë Drejtor i Divizionit të Koordinimit dhe Integrimit në Komandën Supreme të Aleancës në periudhën 2013-2014. Nga tetori 1996 deri në prill 1997 me gradën e atëhershme të Kolonelit, Gjeneral Brigade Kollçaku shërbeu si Vëzhgues Ushtarak në Misionin e OKB-së në Gjeorgji. (UNOMIG). Gjeneral Brigade Kollçaku, para se t’i jepej grada madhore aktuale nga Presidenti Meta më 31 korrik 2017, ka ndjekur dhe është diplomuar edhe në Kolegjin e Komandës dhe Shtabit të Përgjithshëm të SHBA, Kolegjin e Forcave të Armatosura të Përbashkëta, Kursin e Kombinuar të Inteligjencës Strategjike pranë Agjencisë së Zbulimit Ushtarak të SHBA, si dhe Kursin Ekzekutiv të Studimeve Strategjike të Sigurisë Evropiane në Qendrën “Xhorxh C. Marshall”.