Presidenti Ilir Meta, i ka kërkuar Prokurorisë informacione në lidhje me 16 emrat e propozuar nga kryeministri Edi Rama si ministra. Në shkresën drejtuar Prokurorisë thuhet se, Presidenti Meta, kërkon të informohet mbi të dhëna apo informacione për çdo kandidat të propozuar, lidhur me procese hetimore apo penale që janë nisur ndaj tyre. Ndër të tjera theksohet, që përgjigjet e kërkuara të kthehen sa më shpejt, në mënyrë që Presidenti të shprehet për emërimet brenda 7 ditëve.
Kujtojmë se në mbledhjen e Asamblesë së PS, kryeministri Edi Rama, zbuloi emrat e propozuar si ministra të rinj. Ndryshimet ishin të pakta krahasuar me qeverinë e mëparshme, ndërsa ra në sy se pjesa më e madhe e kabinetit përbëhej nga ministre femra. Ndërsa të premten, gjatë seancës së parë plenare në Parlament, u votua me 79 vota pro, e 4 kundërt, Lindita Nikolla si kryetare e parlamentit. Partia Demokratike zgjodhi të mos votonte, e në shenjë demonstrative të griste fletët e votimit.
Ndërsa Presidenti Ilir Meta e përshëndeti zgjedhjen, duke theksuar se Kuvendi duhet të jetë tempulli i bashkëpunimit e jo i përçarjes. “Nëse i keni këto të dhëna kërkojnë që të informohemi mbi gjendjen e procedimit dhe statusin e secilit prej shtetasve të mësipërm”, thuhet në shkresën e firmosur nga sekretarja e përgjithshme e presidencës Ornela Zonja. Kryeministri Edi Rama është dekretuar më 10 shtator nga kreu i Shtetit, vetëm një ditë pas betimit të deputetëve të rinj në Kuvend.
Ndërkohë, përbërja e qeverisë së re u bë publike të enjten e 2 shtatorit dhe pritet të dekretohet, pasi presidenti Meta të marrë përgjigje nga prokuroria lidhur me kërkesën e tij. 12 gra e 5 burra do të jenë anëtarët e rinj të Qeverisë, ku numri 2 i saj është Arben Ahmetaj. Rama ka vendosur të rikonfirmojë 10 ministra, ndërsa largohen Brace, Majko, Shalsi, Klosi, Gjonaj dhe Denaj.
Ministritë mbeten të njëjta, ndërsa shkrihet ajo e Shtetit për Diasporën dhe shtohen 2 ministri të tjera të rejapa portofol. Për herë të parë në qeveri vjen Ulsi Manja që drejton ministrinë e Drejtësisë. Sa i përket ekipit të ri të Partisë Socialiste ndryshimi i rëndësishëm ishte ai i Sekretarit të Përgjithshëm të partisë. Gjiknuri i ka marrë kështu vendin Taulant Ballës si numri 2 i PS.