MOS E SHITNI VOTËN POR DENONCONI,TREGONI QYTETARI. Presidenti Bujar Nishani jep një mesazh për qytetarët, lidhur me zgjedhjet e 21 qershorit, duke thënë se ka nisur fushata zgjedhore për të votuar drejtuesit vendorë. Ai e ka cilësuar si një akt sublim procesin e votimit duke deklaruar se qytetarët shprehin preferencat për ata prej të cilëve do të qeverisen në katër vitet e ardhshme me bindje dhe shpresë se të zgjedhurit prej tyre do mbajnë premtimet dhe do ta bëjnë punën siç duhet.
Presidenti fton që momentit të votimit t’i jepet rëndësia që meriton, duke shtuar se vota është mjeti më i efektshëm, instrumenti më i fuqishëm në dorën e qytetarëve për ndreqjen e gabimeve, shërimin e plagëve, sigurimin e paqes sociale si dhe përmirësimin e gjithçkaje tjetër që ka të bëjë me të tashmen dhe të ardhmen e individit dhe të vendit në përgjithësi. Presidenti Nishani ftoi me tej qytetarët të denoncojnë përpjekjet për blerjen e votës dhe të mos bëhen viktima të kësaj dukurie, të cilën e cilëson gabim fatal, pasojat shkatërrimtare të të cilit vuhen gjatë.Presidenti shton më tej se mbarësia e zgjedhjeve përcakton gjithçka që ka të bëjë me fatet e qytetarëve në marrëdhënie me shtetin.