Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ndodhet në Bruksel, ku do të zhvillojë një takim me sekretarin e Përgjithshëm të NATOS-s, Jens Stoltenberg.

Pas përfundimit të takimit, presidentja Osmani dhe sekretari Stoltenberg do të mbajnë një konferencë të përbashkët për mediat.

Presidenca e Kosovës ka njoftuar se gjatë vizitës zyrtare në NATO, Osmani do të ketë takim edhe me kryetarin e Komitetit Ushtarak të NATO-s, Admiralin Rob Bauer si dhe do të realizojë takime me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara në NATO, Julianne Smith, dhe me përfaqësues të shteteve të tjera aleate.

“Përgjatë vizitës, Presidentja Osmani do të riafirmojë vendosmërinë e popullit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës për avancimin e rrugës drejt anëtarësimit në NATO, duke filluar me programin e Partneritetit për Paqe, forcimin e bashkëpunimit dhe koordinimit me aleatë, në veçanti për çështje të sigurisë, mirënjohjen e popullit të Kosovës për rolin dhe kontributin e vazhdueshëm të NATO-s në Kosovë, si dhe përkushtimin për kontribut të përbashkët për paqe, stabilitet dhe siguri afatgjate në rajonin tonë”, thuhet në njoftim.

Artikulli paraprakMOTI I KEQ DHE FENOMENI “DANIEL”, GREQIA NË ORË TMERRI DHE IMAZHE DRAMATIKE
Artikulli tjetërBEGAJ VIZITË NË KAZAKISTAN, PRITET ME CEREMONI SHTETËRORE! TAKIM ‘KOKË MË KOKË’ ME HOMOLOGUN