Një burrë u paraqit në një gjykatë gjermane duke pretenduar se ishte 102 vjeç në përpjekje për të siguruar të drejtën e tij për pension, ndërsa të dhënat zyrtare tregojnë moshën e tij në 48.
Burri, i cili vuan nga paraplegjia spastike, doli përpara gjykatës civile të qytetit Celle. “Që nuk kemi të bëjmë me një person 102-vjeçar është, besoj, e qartë”, tha gjykatësi Uwe Dreyer duke i vendosur një masë gjobe prej 1 000 euro.
Gjykatësi i vuri në dukje burrit se ai mund të kryente një krim që mund të çonte në një çështje tjetër gjyqësore. Ai gjithashtu i tha paditësit se ai mund të përballet me kostot e çdo procesi gjyqësor të ardhshëm.
Por duke e pyetur burrin nëse donte të vazhdonte, ai mori përgjigjen: “Sigurisht”. Sipas dokumenteve para gjykatës, burri punon me kohë të plotë në funksione administrative për komunën e Stade, pranë Hamburgut.
Për të mbështetur kërkesën e tij për pension, ai dorëzoi një deklaratë nën betim dhe një certifikatë lindjeje që kishte përgatitur vetë.
Ai këmbënguli se autoritetet gjermane të sigurimeve shoqërore e kishin gabuar vitin e tij të lindjes dhe se duhej të ishte 1919, jo 1973. Ai tha gjithashtu se pësoi një aksident në vitin 1973, detajet e të cilit nuk mund t’i zbulonte për arsye sigurie.