Klerikët katolik të 17 shteteve të ndryshme të Europës zhvilluan një vizitë në xhaminë e madhe “Ebu Beker” në qytetin e Shkodrës. Klerikët e ardhur për kampionatin europian të mini-futbollit të priftërinjve u mirëpritën nga zëvendës myftiu i Shkodrës Arben Halluni i cili foli për harmoninë mes besimeve.

Johann Wurzer, përfaqësues i kombëtares austriake të priftërinjve, një prej organizatorëve të parë të kampionatit europian të mini-futbollit mes klerikëve katolik tha se:

“Jemi shumë të lumtur që gjendemi në Shkodër. Përfaqësoj kombëtaren e Austrisë të priftërinjve dhe këtë kampionat e kemi organizuar në vitin 2000 në Austri. Është hera e parë për mua në Shqipëri por sigurisht nuk do të jetë e fundit. Dëgjova për harmoninë fetare këtu në Shkodër dhe është shumë e rëndësishme që të ketë komunikim të mirë mes besimeve të ndryshme. Sa i përket kampionatit që po zhvillohet ndjehemi shumë mirë sepse sporti është i bukur dhe i bashkon njerëzit”.

Pas xhamisë, priftërinjtë nga e gjithë Europa vizituan edhe muzeun kombëtar të fotografisë “Marubi”. Një prej klerikëve nga Sllovakia thotë se harmonia fetare në Shqipëri duhet të merret si shembull nga e gjithë Europa sepse në shumë shtete të tjera ka probleme mes religjioneve, nganjëherë edhe brenda kristianizmit.

Kampionati europian i minifutbollit do të zhvillohet për katër ditë me radhë në Shkodër mes 17 ekipeve kombëtare të priftërinjve nga e gjithë Europa ku bën pjesë edhe kombëtarja shqiptare.

Artikulli paraprakGARA E KLERIKËVE, DUKA NË MESHËN E MIRËSEARDHJES
Artikulli tjetërBASHKIA I LARGOI NGA PUNA, GRATË NË PROTESTË