Ministria e Mbrojtjes, nëpërmjet Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, ka bërë thirrje për masa parandaluese pas raportimeve nga Shërbimi Meteorologjik Ushtarak dhe Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEO) për reshje të pritshme. Sipas IGJEO dhe SHMU gjatë pjesës së dytë të ditës së sotme priten reshje të dobëta në të gjitha qarqet e vendit. Ndërsa, më 23 dhjetor, parashikohen reshje intensive deri shumë intensive në qarqet e Shkodrës, Vlorës, Gjirokastrës, Kukësit dhe Dibrës. Në zonat e tjera, reshjet do të jenë mesatare deri intensive, të shoqëruara me shtrëngata. Në lartësitë mbi 400 metra në Veri, Lindje dhe Juglindje, reshjet do të shndërrohen në borë, duke shkaktuar ngrica dhe vështirësi në transport. Ministria e Mbrojtjes thekson rëndësinë e bashkëpunimit dhe veprimit të shpejtë për të minimizuar pasojat e këtyre kushteve atmosferike dhe për të garantuar sigurinë e qytetarëve. Të gjitha strukturat vendore dhe qendrore janë të ftuara të jenë në gatishmëri për të reaguar në kohë ndaj çdo situate emergjente. Sa i përket qarkut Shkodër reshjet e borës pritet që të vijojnë përgjatë aksit Tamarë-Vermosh por edhe në Bogë-Theth si dhe zonat malore të Pukës dhe Fushë Arrësit. Ndërkohë ajo që kërkohet është që firmat kontraktore të vijojnë që të jenë në gatishmëri të plotë për të mbajtur të hapura këto akse rrugore në mënyrë që qarkullimi i automjeteve të bëhet normalisht dhe të mos kemi fshatra të izoluar nga bora. Nga ana tjetër bëhet e ditur se strukturat e emergjencave civile janë në gatishmëri të plotë për çdo situatë të mundshme. Në këto ditë kur pritet një përkeqësim i motit drejtuesit e automjeteve këshillohen që të jenë me goma dimërore, të mbajnë zinxhirë nëse lëvizin në zona malore dhe të marrin të gjitha masat e tjera të duhura për të shmangur çdo situatë të padëshiruar. Po ashtu autoritetet bëjnë thirrje për banorët e zonave malore dhe vizitorët që të shmangin lëvizjet e panevojshme kryesisht gjatë orëve të natës për të eleminuar çdo aksident të mundshëm.

Artikulli paraprak“SHTETI S’KA KUJDES PËR RRËNOJAT E KISHAVE”
Artikulli tjetërZYRA LIGJORE FALAS MBËSHTETJE QYTETARËVE