Dhjetra banorë të lagjes “Bleran” të fshatit Bardhaj në Shkodër kanë protestuar për një sërë problemesh që prej vitesh i shqetësojnë. Rreth 200 familje që jetojnë në atë zonë përballen çdo ditë me mungesën e ujit të pijshëm, probleme me infrastrukturën apo dhe me mbushjen me inerte të kanaleve kulluese. Disa herë banorët kanë bërë kërkesë pranë institucioneve përgjegjëse për zgjidhjen e kësaj situate por deri më tani askush nuk ka bërë diçka.
Të irrituar banorët shprehen se këtë vit nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit nëse nuk do të merren masa për zgjidhjen e këtyre problemeve.
Edhe pse jo shumë larg nga qyteti i Shkodrës banorët e fshatit Bardhaj prej më shumë se 30 vitesh jetojnë në këto kushte.