Më shumë se 75 përqind e prokurorëve të inspektuar nga Ministria e Drejtësisë për vitin 2015, janë gjetur në shkelje.

Në raportin vjetor, të dërguar në Parlament nga ministri i Drejtësisë në lidhje me inspektimin 1 vjeçar të punës së Prokurorisë, rezulton se janë kontrolluar 32 prokurorë, nga të cilët janë konstatuar me shkelje 24 prej tyre. Ne raport thuhet se, ministri i Drejtësisë i ka rekomanduar Prokurorit të Përgjithshëm fillimin e procedimit disiplinor për 12 prokurorë, veprimtaria e të cilëve është konstatuar me shkelje të detyrës, duke marrë në konsideratë dëmin e shkaktuar nga shkeljet e kryera. Sipas inspektorëve, të cilët kanë verifikuar shkeljet, ajo e shndërruar në një virus për të gjithë, është shkelja e detyrimit për veprime të rregullta e të vijueshme hetimore. Shkelje kjo e evidentuar në gjashtë nga shtatë prokuroritë e kontrolluara. Pothuajse e gjithë veprimtaria e prokurorëve të kontrolluar rezulton të ketë probleme me vijueshmërinë e hetimit. Mosfillimi i ndjekjes penale, shkelja e detyrimit për respektimin e afateve hetimore, si edhe respektimi i parimeve të drejtësisë dhe ligjshmërisë së veprimtarisë së prokurorit, janë tre shkelje të tjera të vërejtura më shumë në punën e prokurorëve.

Artikulli paraprakSTUDIMI, TRUMP PRESIDENT I SHBA, NJE NGA 10 RREZIQET E BOTES
Artikulli tjetërPD-PS, DEBATE NE KUVEND PD: RAMA PROMOVON KRIMIN, PS: BERISHA KRYEMINISTER I GERDECIT