Një fadromë e Bashkisë Shkodër ka nisur mëngjesin e së enjtes shembjen e disa ndërtimeve në bllokun e pallateve pranë vendit të quajtur ish-Fusha e Druve, pjesë e lagjes 10 Korriku në Shkodër.
Këto janë punimet e para të nisura për rikonstruktimin e plotë të bllokut të pallateve. Asnjë nga banorët nuk ka kundërshtuar nisjen e punimeve, pavarësisht se një pjesë e ndërtesave pranë rrugës u janë shembur. Ata thonë se janë në pritje të investimit për krijimin e lulishtes në zonë.
Bashkia Shkodër ka parashikuar një tjetër investim për rehabilitimin e këtij blloku pallatesh. Ditët në vijim pritet të bëhet publik edhe projekti i plotë mbi ndërhyrjet që do të kryhen. Prej vitesh, kjo zonë periferike e lagjes 10 Korriku vuante nga amortizimi i infrastrukturës rrugore, dëmtimi i rrjetit të kanalizimeve të ujërave të zeza dhe mungesa e hapësirave publike.