Ministria e Financave ka publikuar për konsultim publik pr.ligjet që do të shoqërojnë paketën fiskale të vitit të ardhshëm. Në ndryshimet fiskale për vitin 2023 qeveria pritet të lehtësojë barrën mbi produktet energjetike duke përjashtuar nga tatimi mbi vlerën e shtuar blerjen e druve të zjarrit në kushtet e krizës energjetike, importet dhe tregtimi i energjisë në bursë si dhe donacionet që bëhen për shtetin.

Tek akciza qeveria unifikon akcizën për Birrën (prodhues vendas e të huaj), pavarësisht sasisë së prodhimit. Akciza do të jetë nga 360 lekë/HL, në 710 lekë/HL/shkallë alkoolometrike. Sipas ligjit aktual prodhuesit me kapacitet prodhimi nën 200 mijë hektolitra paguajnë 15 lekë akcizë për litër, ndërsa mbi këtë kufi 30 lekë për litër. Gjithashtu nga akciza pritet të përjashtohen edhe akumulatorët, të cilat janë bateri që përdoren për panelet diellore dhe makinat elektrike. Pjesë e paketës fiskale është edhe heqja e taksës prej 150 lekë/kg për hirrën dhe kremin e qumështit. Ndryshimet më të mëdha në paketën e vitit të ardhshëm qeveria pritet t’i bëjë me ashpërsimin e gjobave për evazorët duke rritur së tepërmi penalitetet për disa kategori dhe veprime të bizneseve. Rriten penalitetet për tatimpaguesit entitete për mosdeklarim të punonjësve dhe fshehje të pagës. Në legjislacionin aktual penaliteti është 100% të detyrimit dhe kontributit të llogaritur për të gjithë tatimpaguesit. Në ndryshimet e reja bëhet 200 % të detyrimit dhe kontributit të llogaritur për tatimpaguesit entitete juridike dhe 100 % të detyrimit dhe kontributit për të gjithë tatimpaguesit e tjerë.Sipas Ministrisë së Financave ky ndryshim vjen si rezultat i domosdoshmërisë për ashpërsimin e penaliteteve për këtë kategori shkeljesh dhe tatimpaguesish. Për moslëshimin e faturave për furnizim, gjoba do të dhjetëfishohet nga 150 000 deri në 1 500 000 lekë. Ndërsa nxjerrja e mallrave pa faturë, do të gjobitet me 750 000 lekë, nga 75 000 që është aktualisht dhe nëse rasti përsëritet do të ketë edhe kallëzim penal. Paketa fiskale 2023 rishikon nivelin e gjobës për mosdorëzimin në afat të deklaratës individuale vjetore të të ardhurave për individët nga 5000 lekë që është aktualisht në 3000 lekë. Ndërsa për mospagesën e tatim fitimit gjoba bëhet sa 10% e këstit plus kamatvonesë.

Gjithashtu është vendosur kufizim edhe në gjendjen e arkës së tatimpaguesve që lëshon faturë duke e detyruar atë në fillim të çdo dite pune dhe para lëshimit të faturës së parë të paraqesë informacionin mbi shumën fillestare të parave cash në arkë për çdo pajisje elektronike të faturimit. Gjithashtu tatimpaguesi duhet të paraqesë në të njëjtën mënyrë edhe çdo ndryshim të shumës së parave cash në arkë gjatë ditës së punës. Kështu bizneset me xhiro deri në 2 milionë leke nuk mund të mbajnë gjendje parash deri në 55.000 lekë. Ato nga 2 deri në 10 mln lekë jo më shumë se 250 000 lekë dhe ato mbi 10 mln lekë jo më shumë se 500 000 lekë apo 2% e qarkullimit vjetor të vitit të kaluar cilado qoftë vlera më e lartë.

Artikulli paraprakFJALIMI I RAMËS NË KIE, DUA LIPA PËRSËRIT APELIN: LIBERALIZIM VIZASH PËR KOSOVËN
Artikulli tjetërZBULOHEN DETAJE NGA MBLEDHJA ME DYER TË MBYLLURA, FRANCA KUSHTËZON LIBERALIZIMIN E VIZAVE PËR KOSOVËN