Kryetarja e Bashkisë e Shkodrës zj. Voltana Ademi ka patur sot një takim në Tiranë me drejtues të Bankës Botërore (BB) dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit (FSHZH) për projektet e infrastrukturës në zonën e Thethit dhe saktësisht mbi projektin e rrugës së Thethit, segmenti nga Qafë Thore në Theth.
Delegacioni i Bashkisë Shkodër kryesohej nga kryetarja zj. Voltana Ademi ndërsa Banka Botërore përfaqësohej nga Jing Xiong- Team Leader i Programit të Infrastrukturës të Mbështetur nga BB , Simon Ellis- Program Leader i Programit të Zhvillimit të Qëndrueshëm për Ballkanin Përendimor. Fondi Shqiptar i Zhvillimit përfaqësohej me nëndrejtorin Blendi Bushati. Diskutimi është përqendruar në termat e referencës që duhet të plotësohen për një projekt sa më të mirë për infrastrukturën jo vetëm për rrugën por për të gjithë fshatin Theth. Në emër të Bashkisë, kryetarja zj. Ademi ka falenderuar Bankën Botërore që e ka përzgjedhur projektin e saj për ta mbështetur në kuadër të Programit për Mbështetjen e Infrastrukturës së Rrugëve Rurale. Bashkia Shkodër ka aplikuar me 3 projekt- propozime dhe ky projekt është shpallur fitues. Nga ana tjetër, BB do të mbështesë Bashkinë e Shkodrës me asistencën teknike dhe më konkretisht, qoftë me mirëmbajtjen në vazhdimësi të kësaj rruge dhe rrugëve të tjera rurale, por edhe për projekte të zhvillimit të zonës së Thethit dhe për komunitetin e Thethit, në veçanti për menaxhimin e bujtinave, menaxhimin e territorit, zhvillimin e lehtësive për shërbime dhe të tjera aspekte që për zonën e Thethit janë prioritare. Gjatë takimit, kryetarja e Bashkisë zj. Voltana Ademi adresoi edhe problematika të tjera të rëndësishme për zonën e Thethit siç është furnizimi me energji elektrike të të gjithë zonës si një nevojë që pret zgjidhje me fonde nga qeveria shqiptare apo donatorë të tjerë. Energjia elektrike është një nga shërbimet kryesore të munguara për Thethin. Ndërsa shërbimi i mbledhjes, transportit për në landfill i mbetjeve, shërbimet për turistët, guidat turistike, asistencë për pjesën e ndërtimit arkitekturor të bujtinave po bëhet i mundur nga Bashkia Shkodër, zj. Ademi kërkoi që të zgjidhet cështja e pronësisë për bujtinat dhe tokën për banorët e Thethit- problem ky akoma i pazgjidhur. Megjithëse përpjekjet e Bashkisë Shkodër vazhdojnë në këtë drejtim, çështje që lidhen me procedura të pamiratuara nga Ministria e Financave, nuk i japin mundësi Bashkisë të pajisë me dokumentacionin përkatës të pronësisë të banorëve të Thethit qoftë për bujtinat apo edhe tokat për të cilat nuk ka një ligj specifik në fuqi.
Projekti i rrugës së Thethit është propozim i Bashkisë Shkodër. Në këtë program të BB, është aplikuar me 3 projekte: projekti i rrugës së Thethit, projekti i rrugës së Drishtit, projekti i rrugës që lidh fshatin Bardhaj me fshatin Rrenc në NJA Guri i Zi, projekti i rrugëve të brendshme të Velipojës. Fokusi i programit të mbështetur nga BB ka qënë tek zonat që kanë potencial të zhvillimit të turizmit dhe të agro- turizmit. Deri tani, është shpallur fitues projekti i Thethit që do të marrë zgjidhje me fondet e Bankës Botërore. Marrëveshja e kredisë në mes Bankës Botërore dhe Qeverisë Shqiptare për financimin e projektit, pritet të lidhet ne mars të këtij viti dhe ka një vlerë 6.2 milion euro.