Zona historike e Zdrales është një nga më të mirënjohurat e Shkodrës, me një aktivitet të gjerë tregtar, e sjellë së fundmi në vëmendje si nevojë për transformim të domosdoshëm, përmes vitalizimit urban dhe rilindjes së traditave më të bukura që ajo ka mbartur ndër vite.

Kryeministri Edi Rama ndoqi prezantimin e bërë në bashkinë e Shkodrës të asaj çfarë ofron aktualisht kjo lagje, dhe perspektivës për zhvillimin e një projekti, që jo vetëm do ta zbukurojë atë, por do të lehtësojë ndjeshëm çdo lloj aktiviteti tregtar apo kulturor.

“Zona e Zdralës është një zonë shumë e madhe dhe qendrore në qytet. Është pjesë e një rrethi 5 minutësh i qarkullimit nga qendra e qytetit, por ama është e degraduar në krahasim me zonën tjetër tjetër historike. E kemi sjellë në vëmendje si një zonë që meriton patjetër vitalizim urban por edhe një zhvillim nga pikëpamja e karakterit të pazarit që ka dhe më gjerë. Është një zonë historike. Ka 300 vite si lagje që është formuar, me elemente interesant të trashëgimisë kulturore, por sot është degraduar po themi dhe nga zhvillimi urban dhe nga mungesa e infrastrukturës.” –u shpreh prezantuesja e projektit, teksa shpjegoi në detaje përbërjen e kësaj zone.

“Është zonë më e rëndësishme përsa i përket aktivitetit tregtar në qytet me mbi 400 njësi shërbimi të ndryshme. Ka një energji, ka një shpirt shumë të bukur të aktivitetit të përditshëm. Ka 75% lëvizje këmbësorësh dhe biçikleta, ka mbi 60 tregtarë me prodhime të gjithë rajonit verior, ka 30 shitës ambulantë. Ka dy struktura të mëdha artikuj industrial që janë sot si bunker. Pasdite nuk ka, mbyllen të gjitha shërbimet prandaj ka një karakter më utilitar dhe tranzit. Ndërkohë që, ngjitur me të është dhe stadium, i cili sot për sot është i pashfrytëzuar për qytetin. Në këtë zonë gjendet dhe Muzeu Historik i Shkodrës, gjendet Çinari 200 vjeçar që është monument natyre, 12 monumente kulture dhe 2200 nxënës dhe studentë nga të cilët 650 janë profesionalë hoteleri-turizëm, kuzhinë dhe tekstil konfeksioni. Kemi një potencial të madh për ta riparë tërësisht si zonë dhe jo vetëm duke i dhënë karakterin e pazarit, por edhe duke përfshirë gastronominë që e ngre në një nivel më identitar për Shkodrën, ashtu dhe trashëgimia. Ndërkohë që elementi edukativ gjen vend në të gjitha këto pika. Duke përfshirë funksione që janë marzhe të gjithë këtyre karaktereve Zdralja do bëhet vendi ku shpirti i pazarit dhe shijet autentike të veriut shkrihen me vlerat e trashëgimisë. E gjithë lagja merr një karakter inkubatori për shkak të studentëve që janë pjesë dhe jetojnë çdo ditë.” – detajoi ajo.

Nga ana e tij, kryeministri Rama theksoi se me rigjenerimin e zonës, do të marrë një tjetër energji edhe aktiviteti tregtar, i cili për momentin nuk ofron më të mirën e tij.

“Në momentin që rigjenerohet hapësira dhe privatët marrin tjetër mesazh dhe tjetër energji dhe ia vlen. Tani aty në atë lloj situate ashtu s’ka çfarë të ketë bare të mira, s’ka çfarë të ketë dyqane të mira, kështu që edhe kjo është efekti zinxhir që sjell rikualifikimi.” – u shpreh kryeministri, Rama teksa sugjeroi futjen e koncepteve të reja në projektim, në mënyrë që të dalin më në pah vlerat e vërteta historike.

“Mund të bëhet një si muze që krijohet në një pikë, por mund të lidhet me disa figura kryesore të historisë së zonës dhe ti konceptosh ato aty si kulla, po themi kulla e Lekë Dukagjinit, kulla e Migjenit dhe ndërkohë aty brenda ka një aktivitet X dhe pastaj pjesa tjetër bare, restorante apo bujtina kanë elementë të këtyre figurave dhe plus mund të përdoret për të ekspozuar gjithë këto veshjet. Mund të jetë një koncept i ri. Duhen shfrytëzuar katet e para të atyre, si një muze që pjesët e jashtme i sheh nëpërmjet hapësirash, mund të jenë si dritare që fut sytë dhe sheh, janë si në vitrinë por një vitrinë gjysmë e fshehur që ti i sheh, pastaj futesh brenda i sheh më shumë. Mund të jetë një gjë shumë unikale. Duhet studiuar dhe të kombinohet me aktivitet, por të jetë dhe kulturore të jetë dhe tregtare. Të jetë jo vetëm tregtare po dhe jo vetëm kulturore, por bashkë dhe mund të shfrytëzohen pastaj dhe pjesa e dhomave për këto, dizajnin, arredimin dhe me fotografitë, të shfrytëzohen si tip reference dhe me librat që ka aty për figurat e zonës.” – sugjeroi Kryeministri.

Artikulli paraprakBALLA: PRES MË SHUMË NGA POLICIA E LEZHËS PËR ZBARDHJEN E NGJARJEVE KRIMINALE
Artikulli tjetërTONIGHT – 05.12.2023