Ndërsa numri i mjekëve dhe infermierëve në Shqipëri po pëson tkurrje, nga emigrimi kryesisht në Europë (Gjermani) ku ka pozicione pune joshëse, një ndryshim i ri ligjor po i ‘shtrëngon lakun’ kësaj kategorie.
Sipas ndryshimeve në ligjin nr.10107, datë 30.3.2009, “Për kujdesin shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, mjekëve që ushtrojnë profesionin e tyre në institucione publike ose jopublike shëndetësore, nuk do tu lejohet më dypunësimi.
Në relacion shpjegohet se ‘Nga urdhrat profesionistë është ngritur shpeshherë shqetësimi që persona të ndryshëm kanë më shumë se një profesion në fushën e shëndetësisë, duke e bërë kështu fiktiv ushtrimin e dy ose më shumë profesioneve.
Për këtë arsye është propozuar si alternativë pezullimi i njërit prej profesioneve gjatë kohës që je duke ushtruar një profesion të caktuar’.
Një tjetër ndryshim përcakton edhe certifikimet e trupave shëndetësore, si dhe parashikon sanksione specifike për drejtuesit e institucioneve shëndetësore publike, në rast se profesionistët e punësuar në to nuk përmbushin kërkesat e programit të certifikimit.
Ja ndryshimet ligjore si më poshtë:
Neni 16 përcakton ndryshimin e nenit 31, si më poshtë vijon:
1.Profesionistët e shëndetësisë ushtrojnë profesionin e tyre në të gjitha strukturat shëndetësore ku ofrohet kujdes shëndetësor, publik ose jopublik, sipas standardeve profesionale dhe etike të shërbimit të kujdesit shëndetësor, të miratuara me urdhër të ministrit përgjegjës për shëndetësinë.
2.Profesionistët e shëndetësisë, të cilët kanë përfituar më shumë se një profesion në fushën e shëndetësisë, nuk mund t’i ushtrojnë njëkohësisht këto profesione.
Këta profesionistë deklarojnë profesionin që duan të zgjedhin pranë urdhrave profesionistë përkatës, duke pezulluar në këtë mënyrë të drejtën e ushtrimit të profesionit/profesioneve të tjera.
Neni 17, parashikon shtimin e një neni 31/1, lidhur me pranimet në institucionet e kujdesit shëndetësor publik të profesionistit shëndetësor si më poshtë vijon :
1.Profesionistët e shëndetësisë pranohen në institucionet e kujdesit shëndetësor publik bazuar në parimet e meritës, të konkurrimit të hapur dhe të trasparencës.
2.Profesionistët e shëndetësisë pranohen në institucionet e kujdesit shëndetësor publik bazuar në kriteret dhe procedat e konkurrimit, të përcaktuara me urdhër të ministrit përgjegjës për shëndetësinë.
3.Profesionistët e shëndetësisë, anëtarë të Urdhrit të Infermierit, të cilët e ushtrojnë profesionin e tyre në institucionet e kujdesit shëndetësor publik,emërohen sipas renditjes në portalin “Infermier për Shqipërinë”.
Procedurat e rekrutimit dhe të emërimit nëpërmjet portalit “Infermier për Shqipërinë”, përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për shëndetësinë dhe kryhen nga institucioni përgjegjës për këtë qëllim.
4.Drejtuesit e institucioneve të kujdesit shëndetësor publik emërohen nga ministri përgjegjës për shëndetësinë, sipas procedurës së përcaktuar me urdhër të ministrit përgjegjës për shëndetësinë.
Drejtuesi i emëruar i institucionit të kujdesit shëndetësor është i detyruar të kryejë trajnimin e detyrueshëm për drejtim dhe administrim të institucionit të kujdesit shëndetësor nga institucioni përkatës, i ngarkuar për këtë qëllim nga ministri përgjegjës për shëndetësinë.
Neni 18, përcakton ndryshimin e nenit 33, Edukimi i vazhdueshëm profesional, si më poshtë vijon:
1.Ministria përgjegjëse për shëndetësinë krijon program të detyrueshëm për edukimin e vazhdueshëm profesional, i quajtur “Programi i Certifikimit për Profesionistët e Shëndetësisë”.
Profesionistët duhet të mbledhin një numër të caktuar kreditesh të edukimit të vazhdueshëm profesional, sipas procedurave dhe kritereve të miratuara nga Këshilli i Ministrave.
Certifikimi është procesi që profesionisti i shëndetësisë përfundon me përmbushjen e kritereve të programit të certifikimit, i cili përputhet me afatet kohore të licencimit.
2.Profesionistët e kujdesit shëndetësor janë të detyruar që t’i nënshtrohen edukimit të vazhdueshëm, për të përditësuar njohuritë dhe aftësitë e tyre, në mënyrë që të përmirësojnë cilësinë e kujdesit shëndetësor.
3.Profesionistit të shëndetësisë, që nuk përmbush kriteret e programit të certifikimit, i pezullohet/ndërpritet kontrata me institucionin shëndetësor dhe nuk i rinovohet leja e ushtrimit të profesionit nga urdhri profesional përkatës. Rifitimi i lejes së ushtrimit të profesionit bëhet vetëm pasi profesionisti i nënshtrohet provimit të certifikimit.
4.Provimi i certifikimit zhvillohet nga komisionet e provimit të certifikimit, të ngritura pranë fakulteteve përkatëse të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë. Rregullorja për organizimin e provimit të certifikimit miratohet nga Bordi i Edukimit të Vazhdueshëm.
Tarifat e provimit të certifikimit janë të njëjta me ato të provimit të shtetit dhe të ardhurat nga provimet e certifikimit u kalojnë fakulteteve përkatëse të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë.
5.Institucionet e kujdesit shëndetësor duhet të lehtësojnë edukimin e vazhdueshëm të profesionistëve të tyre. Ato janë të detyruara të hartojnë dhe të zbatojnë programe të akredituara të edukimit të vazhdueshëm për profesionistët e tyre.
6.Në rast se profesionistët e punësuar në institucionet publike të kujdesit shëndetësor nuk përmbushin kërkesat e programit të certifikimit, për drejtuesit e tyre merren masa disiplinore deri në lirim nga detyra.