Qeveria ka përgatitur një projektligj lidhur me trajtimin e automjeteve dhe mjeteve lundruese që janë sekuestruar apo konfiskuar nga organet e ruajtjes së rendit apo organet e tjera ligjzbatuese. Projekti është hedhur në diskutim me grupet e interesit. Ai përfshin makinat dhe jahtet apo gomonet e bllokuara, të sekuestruara, të konfiskuara apo të ndaluara për shkaqe të ndryshme deri në fund të vitit 2016.

Mjetet rrugore

Qeveria propozon që automjetet e regjistruara e të pajisura me leje qarkullimi nga organet kompetente shqiptare, të konfiskuara si pasojë e sekuestrimit, ndalimit apo bllokimit nga organet e Policisë së Shtetit deri në datën 31.12.2016, të cilat nuk kanë statusin juridik, pra nuk përdoren si provë materiale, do të kalojnë dhe do të administrohen nga Rezervat Materiale të Shtetit, për vijimësinë e procedurave të mëtejshme, sipas administrimit të parashikuar në legjislacionin në fuqi.

Ndërsa ato makina, dhe mjete të tjera rrugore, të cilat nuk janë të regjistruara e të pajisura me leje qarkullimi nga organet kompetente shqiptare (me ose pa targa regjistrimi/leje qarkullimi nga një shtet i huaj) dhe plotësojnë kushtet e përcaktuara si më sipër, pas rikonfirmimit të verifikimeve me shtetet e origjinës, kalojnë dhe administrohen nga Rezervat Materiale të Shtetit, për vijimësinë e procedurave të mëtejshme, sipas administrimit të parashikuar në legjislacionin në fuqi.

Mjetet lundruese

E njejta procedurë propozohet edhe për mjetet e ndryshme lundruese. Mjetet lundruese, të regjistruara e të pajisura me leje lundrimi dhe me certifikatën e përdorimit të mjetit lundrues nga organet kompetente shqiptare, të konfiskuara si pasojë e sekuestrimit, ndalimit apo bllokimit nga organet e Policisë së Shtetit deri në datën 31.12.2016, të cilat nuk kanë statusin juridik, (provë materiale), do të kalojnë dhe do të administrohen nga Rezervat Materiale të Shtetit, për vijimësinë e procedurave të mëtejshme, sipas administrimit të parashikuar në legjislacionin në fuqi.

Mjetet lundruese, të cilat nuk janë të regjistruara e të pajisura me leje lundrimi dhe certifikatën e përdorimit të mjetit lundrues nga organet kompetente shqiptare (me ose pa leje lundrimi nga një shtet i huaj) dhe plotësojnë kushtet e përcaktuara sa më sipër, pas rikonfirmimit të verifikimeve me shtetet e origjinës, do të kalojnë dhe do të administrohen nga Rezervat Materiale të Shtetit, për vijimësinë e procedurave të mëtejshme, sipas administrimit të parashikuar në legjislacionin në fuqi.

Procedurat

Kalimi i këtyre mjeteve nga mjediset e drejtorive të Policisë Vendore përkatëse dhe ato të Policisë Kufitare dhe Migracionit bëhet pranë mjediseve të Drejtorisë Rajonale të Rezervave Materiale të Shtetit, që korrespondon me territorin respektiv, së bashku me dokumentacionin shoqërues të mjetit. Procedurat e kalimit dhe të çregjistrimit rregullohen me Udhëzim të përbashkët të Ministrit të Brendshëm, Ministrit të Mbrojtjes, Ministrit të Financave dhe Ekonomisë, si dhe Ministrit tëInfrastrukturës dhe Energjisë.

Të ardhurat që gjenerohen nga procedura të tilla, në përputhje me ligjin, do të kalojnë në favor të buxhetin e shtetit. Ngarkohen të nxjerrin udhëzim të përbashkët në zbatim të kësaj pike Ministri i Financave dhe Ekonomisë dhe Ministri i Mbrojtjes. Ligji mendohet të hyjë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Artikulli paraprakKANDIDATI PËR KRYEMINISTËR TË BRITANISË PRANON SE KA MARRË KOKAINË
Artikulli tjetërNASA DO T’U LEJOJË QYTETARËVE TË VIZITOJNË STACIONIN NDËRKOMBËTAR TË HAPËSIRËS