Një propozim i ri ka mbërritur në Kuvendin e Shqipërisë që synon të kufizojë përdorimin e duhanit dhe mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve. Sipas draftit të propozuar nga deputeti i PS dhe ish-ministër, Ilir Beqaj, Shqipëria duhet të fillojë të zbatojë “paketimin e thjeshtë” të cigareve, nga 1 janari 2022. Ky afat është parashikuar për t’i lënë kohë industrisë prodhuese të bëjë përgatitjet e nevojshme.

Paketimi i thjeshtë

Por çfarë parashikon paketimi i thjeshtë? Paketimi i thjeshtë në paketat e duhanit bëhet në ngjyrat bardhë e zi ose dy ngjyra të tjera në kontrast. Në paketim nuk vendoset asgjë tjetër përveç emrit të markës, emrit të produktit ose emrit të prodhuesit, detajet e kontaktit dhe sasia e produktit në paketim.

Por përjashtohen logot e kompanisë prodhuese të duhanit.

Sipas propopzimit, në çdo njësi pakete apo paketimi të produkteve të duhanit duhet te shfaqen paralajmerime shëndetësore të kombinuara në tekst dhe në figurë për dëmet që shkakton në shëndet përdorimi i duhanit. Ato duhet të zënë 50 për qind ose më shumë të sipërfaqes së shfaqur, por jo më pak se 30 për qind të faqes kryesore. Ndërkohë, fotografite e figurave të paralajmërimeve të kombinuara duhet të kryhen nga ministria përgjegjëse për Shëndetësinë me individe dhe/ose objekte brenda territorit të Republikës së Shqipërisë dhe të përditësohen herë pas here.

Kush e aplikon

Duhani është e provuar tashmë që dëmton shëndetin e gjysmës së njerëzve që e konsumojnë atë aktivisht dhe ndikon negativish në 30% të njerëzve që ndikohen drejtpërdrejt pasivisht nga produktet e duhanit. Ndikimin më të madh negativ duhani e ka në sëmundjet kardiovaskulare dhe në ato tumorale.

Heqja e markës në paketimin e cigareve synon të shkurajojë duhanpirjen duke hequr asocimin pozitiv të markës në konsumin e duhanit. Për këtë qëllim ka filluar të zbatohet paketimi i thjeshtë për herë të parë në Australi në vitin 2012. Më tej është shtrirë edhe në vende të tjera përfshirë Kanada, Belgjikë, Francë, Hungari (fillimi i zbatimit është shtyrë për në 2022-ën), Irlandë, Mbretërinë e Bashkuar, Norvegji etj. Në Turqi filloi të zbatohet në shtator 2019. Në Hollandë dhe në Slloveni do të fillojë të zbatohet në vitin 2020.

Më 31 maj 2016, në ditën botërore të luftës kundër duhanit, Organizata Botërore e Shëndetësisë u ka bërë thirre qeverive të vendeve anëtare të bëhen gati për paketimin e thjeshtë. Edhe ndryshimet e propozuara përcaktojnë që Shqipëria të fillojë të zbatojë, si vendet e tjera, paketimin e thjeshtë. Parashikohet të fillojë të zbatohet nga 1 janari 2022 për t’i lënë kohë industrisë prodhuese të bëjë përgatitjet e nevojshme.

Angazhimet ndërkombëtare

Projektligji mendohet se ndikon në përmbushjen e objektivit 3 “Sigurimi i jetës së shëndetshme dhe promovimi i mirëqenies për të gjithë në të gjitha moshat”, të axhendës së zhvillimit të qendrueshëm të Kombeve të Bashkuara, konkretisht të angazhimit 3.4, i cili synon që deri më 2030 të sigurojë rënien e vdekshmërisë së parakohshme që u atribuohet sëmundjeve kardiovaskulare, kancerit, diabetit ose sëmundjeve kronike të frymëmarrjes.

Artikulli paraprakSA TË RREZIKUAR JEMI NGA TËRMETET? JA KU RENDITET SHQIPËRIA NË BOTË
Artikulli tjetërNË DURRËS/ MBAHET MESHË PËR MBROJTJEN NGA TËRMETET