Prokurorët italianë kanë akuzuar një zyrtar të lartë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë se i kishte gënjyer lidhur me një raport të OBSH-së lidhur me përgjigjen e Italisë ndaj koronavirusit, duke bërë publike komunikime private që ka gjasa ta vënë në pozitë të vështirë agjencinë e OKB-së për shëndetësinë.

Prokurorët në Bergamo e vendosën nën hetim Dr. Ranieri Guerra, që në atë kohë ishte ndihmës drejtor i përgjithshëm i OBSH-së, duke e akuzuar që kishte bërë deklarata të rreme para tyre kur ra dakord t’u përgjigjej pyetjeve në nëntor. Dr. Guerra ishte ndërmjetësi i OBSH-së me qeverinë italiane, pasi Italia u bë epiqendra e epidemisë COVID-19 në Evropë vitin e kaluar.

Dr. Guerra nuk iu përgjigj menjëherë një emaili ku i kërkohej të komentonte për këtë çështje. Televizioni italian SkyTG 24 citonte Dr. Guerran të thoshte se ishte “i shokuar dhe i indinjuar” nga ky zhvillim dhe po kërkonte informacion lidhur me të.

Prokurorët po hetojnë numrin e lartë të të vdekurve ngaCOVID-19 në Bergamo dhe nëse mungesa e përgatitjes së Italisë para pandemisë, kishte luajtur një rol. Hetimi i tyre u zgjerua duke përfshirë raportin e OBSH-së për përgjigjen e Italisë ndaj virusit, që nxorri në pah se qeveria italiane nuk e kishte rishikuar planin për përgatitjen pandemitë që në vitin 2006.

OBSH-ja e hoqi raportin nga faqja e internetit më 14 maj, një ditë pasi e publikoi dhe nuk e ribotoi më. Zhdukja e dokumentit la të kuptohej se OBSH-ja e tërhoqi atë për të shmangur kritikat, vënien në pozitë dhe përgjegjësinë ligjore për qeverinë italiane.

Dr. Guerra ishte zyrtar i lartë i Ministrisë së Shëndetësisë gjatë periudhës 2014-2017, kur plani për përgatitjen e pandemisë duhet të ishte përditësuar për të plotësuar detyrimet e Bashkimit Evropian.

Kur OBSH-ja u pyet në atë kohë nëse Dr. Guerra ose qeveria italiane kishin ndërhyrë për ta fshehur raportin, organizata tha se ishte hequr nga faqja nga zyra e saj rajonale në Kopenhagë për shkak “të pasaktësive”.

Por dokumentat e mbledhura nga prokurorët e Bergamos, për të cilat njoftoi fillimisht RAI, tregonin se Dr. Guerra ndërmori hapa që raporti të hiqej nga fqaja, sepse qeveria italiane ishte e pakënaqur me të.Dokumentacioni përfshinte komunikime në WhatsApp mes Dr. Guerras dhe një zyrtari të lartë italian të shëndetësisë, Dr. Silvio Brusaferro.

Në një nga ato këmbime që mban datën 14 maj 2020, Dr. Guerra i shkruante Dr. Brusaferros:

“Më në fund, bisedova me Tedros dhe arrita ta heq nga faqja dokumentin”, një referencë për drejtorin e përgjithshëm të OBSH-së,Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Zyra e shtypit e OBSH-së në një email dërguar agjencisë Associated Press të premten mohoi se zoti Tedros ishte i përfshirë në heqjen e raportit dhe këmbënguli se vendimi ishte marrë nga zyra e Kopenhagës.

Prokurorët përmendën komentet e Guerras për ta, që ata thanë se hidheshin poshtë nga faktet dhe arritën në përfundimin se“Guerra personalisht u përfshi në heqjen e raportit nga faqja e OBSH-së”.

Emailet tregojnë se ai u përpoq të bindte një nga autorët kryesorë të raportit, Dr. Francesco Zambon që të ndryshonte të dhënat e raportit, në mënyrë që aty të thuhej se Italia e kishte “rishikuar” planin për pandeminë në vitin 2016, gjë që nuk ishte bërë. Dr. Zambon kishte refuzuar dhe kishte depozituar një ankesë ku thoshte se dr. Guerra ishte përpjekur që t’i bënte presion që të ndryshonte të dhënat. Dr. Zambon dha dorëheqjen së fundmi.

Prokurorët i parashtruan akuzat kundër Dr. Guerras në një kërkesë zyrtare ndaj ministries së jashtme italiane, duke kërkuar bashkëpunimin e saj për të siguruar bashkëpunimin e OBSH-së për hetimin.

Artikulli paraprakSTAR KIDS – 10.04.2021
Artikulli tjetërGJITHÇKA NUK DUHET TË BËNI KUR KENI TEMPERATURË TË LARTË