Ministri i Punëve të Brendshme Saimiri Tahiri priti dje Prokurorin e Antimafias në Leçe të Italisë Cataldo Motta dhe zëvendësprokurorin e Republikës, Guglielmo Cataldi.
Gjatë takimit u vlerësua bashkëpunimi i deritanishëm mes autoriteteve ligjzbatuese në të dy vendet, si dhe nevoja e zgjerimit dhe intensifikimit të këtij bashkëpunimi. Prokurori Antimafia vlerësoi se bashkëpunimi ka qenë i frytshëm dhe veçoi vullnetin e qeverisë shqiptare për të luftuar fenomenet kriminale. “Kemi ardhur në Shqipëri sepse ka bashkëpunim, ndryshe nuk do të vinim”, tha gjatë takimit Prokurori Motta. Ai evidentoi në takim nevojën për një bashkëpunim mes palëve, përmes veprimeve hetimore të përbashkëta.
Ministri Tahiri u shpreh se Policia e Shtetit është e gatshme për çdo nismë të përbashkët për hetime kundër trafikut të drogës. Bashkëbiseduesit theksuan se prezenca e Policisë italiane, përmes misioneve të saj në Shqipëri, është një dëshmi e fortë e bashkëpunimit dhe garanci për transparencë. Palët nënvizuan gjithashtu se një kontroll efikas i kufijve kontribuon për të parandaluar paligjshmëritë. Ata theksuan mirëkuptimin mes Italisë e Shqipërisë për të përforcuar bashkëpunimin në sektorin e sigurisë dhe të luftës kundër terrorizimit, për administrimin e kufijve, si dhe për të rritur aftësinë e forcave policore të të dy vendeve për këtë qëllim.