Prokurori shqiptaro-amerikan: Jam i turpëruar nga sistemi i drejtësisë këtu

Sistemi i Drejtësisë në Shqipëri është lënë të bjerë shumë poshtë, por duhet të bëhemi bashkë për t’ia dalë. Ky ka qenë mesazhi që ka përcjellë për publikun shqiptar nga eksperti i OPDAT për reformën në drejtësi shqiptaro-amerikani Gjon Juncaj në TED EX Tirana me moton “E vërteta e zhveshur është gjithmonë më e mirë se çdo gënjeshtër e veshur bukur”. Juncaj: Nëna ime ishte e fiksuar për drejtësinë. Ajo thoshte se, nëse bën diçka gabim, do të kesh probleme. Nuk kam parë asnjëherë kaq shumë njerëz viktima të pafajshëm të lënë të pambrojtur nga sistemi i drejtësisë se sa këtu në Shqipëri. Jam veçanërisht i turpëruar sepse nuk ka ndershmëri në sistemin e drejtësisë sepse është lënë të bjerë shumë poshtë. Megjithatë, këshilltari juridik i ambasadës amerikane që ka qenë i angazhuar drejtpërsëdrejti me reformën në drejtësi thotë se ka shpresë por që në këtë betejë të vështirë duhet të jemi të gjithë bashkë. Juncaj: Por kam një ndjenjë që dua ta ndaj me ju, ajo është shpresa. Nuk mund t’ja dalim nëse nuk bëheni të gjithë bashkë. Duhet të kuptoni një gjë. Ju keni zë. Jeni shumë, ndërsa ata janë pak. Ka ardhur koha për të ndërtuar një vend për të cilin duhet të jeni krenarë. Juristi Juncaj familja e të cilit është me origjinë nga Malësia e Madhe, shpreh shqetësim dhe për largimin e shqiptarëve nga atdheu Juncaj: Gjuha ime e parë është shqipja, flasim edhe në shtëpi. Shumë të rinj po braktisin shtëpitë e tyre për të gjetur alternativa të tjera. Dua të jem i ndershëm me ju. Jam i turpëruar për ata njerëz të pafytyrë, që kanë shkaktuar dhembje për njerëzit në disa sektorë, si në kujdesin shëndetësor dhe në atë të edukimit. Njerëzit kanë nevojë të shkollohen, pavarësisht kush janë. Juncaj ishte një nga 10 folësit e eventit të që përcollën ide dhe mesazhe frymëzuese për publikun duke rrëfyer nga një histori të tyre.

Artikulli paraprak“VLLAZNIA B” E NIS ME HUMBJE KAMPIONATIN
Artikulli tjetërBLLOKOHEN NË 11 MIJË EURO TË DYSHUARA FALSO. ARRESTOHEN KËMBYESIT