Prokurori shqiptaro-amerikan mbikëqyr gjyqin ndaj gjyqtares

I instaluar prej një viti në njësinë anti-korrupsion pranë Prokrurorisë së Krimeve të Rënda, prokurori shqiptaro-amerikan Gjon Juncaj e nisi të hënën me monitorimin e Gjykatës së Lartë, e cila ka nën gjykim gjyqtaren e Lartë, Majlinda Andrea. I pashoqëruar nga askush, prokurori që po ofron eksperiencën për hetimin e çështjeve të korrupsionit ndoqi seancën e dytë ndaj pesë të pandehurve të akuzuar për një aferë korrupsioni mes tyre dhe të gjytares Andrea. Prania e tij duket se është nxitur nga kërkesa e mëparshme e avokatëve që kërkuan kthimin në detyrë të gjyqtares dhe dhe heqjen e masës së arrestit për bashkëshortin e saj Odhise Andrea. Por prokurori i çështjes Arben Kraja deklaroi se gjyqtyarja Andrea nuk duhet të kthehet në detyrë pasi, sipas tij, rrezikon provat. Ai shtoi se masa ndaluese e pezullimit nga detyra kishte mbaruar e për këtë kërkoi zgjatje të afatit. Por prokurori nuk mundi t’i japë përgjigje pyetjes së Gjykatës së Lartë, përse depozitoi me kaq vonesë këtë kërkesë në një kohë kur masa e ndalimit kishte tre muaj që kishte përfunduar. Kjo do të thotë se për avokatët karta kryesore në këtë betejë do të jetë pikërisht përfundimi i afateve të masës së ndalimit të shpallur nga Gjykata e Lartë në muajin korrik. Megjithatë, avokati i saj Theodhori Sollaku ka vendosur ta mbajë sekret strategjinë e mbrojtjes. Avokatët e konsiderojnë edhe përgjimin e gjyqtares Andrea si joligjor, përsa kohë është vendosur nga shkalla e parë e Krimeve të Rënda dhe jo nga Gjykata e Lartë. Megjithëse prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme replikoi se përgjimi i telefonit të gjyqtares, ndonëse është subjekt me imunitet, është kryer jo për dyshimet ndaj saj, por si person i bashkëlidhur me Odhise Andrean. Pritet që këtyre kërkesave Gjykata e Lartë t’u japë përgjigje më datë 19 dhjetor.

Artikulli paraprak‘CEZ-I,BERISHA: S’DI GJË PËR FLETË- THIRRJEN,BALLA:ZOTËRIA ERDHI SI ‘ÇEÇO’
Artikulli tjetërKRYEMINISTRI I RI I ITALISË PAOLO GENTILONI PREZANTON QEVERINË