Prokuroria e Shkodrës ka quar për gjykim në gjykatën e shkallës së parë të Shkodrës drejtorin rajonal të tatimeve Hysen Hysaj dhe dy ish-zyrtarët Agron Ramadani dhe Vahide Idrizi.

Të tre këta shtetas sipas prokurorisë dyshohet se kanë shkelur ligjin duke dhënë rimbursim për 4 kompani të ndryshme biznesi që operojnë në Shkodër me një dëm financiar prej 200 mijë euro. Gjithçka ka nisur pas denoncimit në prokurori nga ish-drejtori i vlerësimit Agron Ramadani në 2016-ën i cili ka pretenduar se shefi i tij Hysen Hysaj i ka kërkuar që në mënyrë të jashtëligjshme të rimbursojë nipin e tij Mondi Halaj, pronar i komanisë “Halaj sh.p.k” në vlerën 11 milion lekë të reja.

Gjatë këtij hetimi prokuroria pretendon se ka arritur të zbulojë se ka shkelje ligjore në dhënien e TVSH-së edhe për 3 subjekte të vjera që bashkë me Halaj sh.p.k kanë marrë rimbursim në 200 mijë euro në total në një kohë që sipas organit të akuzës i kishin një borxh shtetit në vlerën 300 mijë euro, në dogana dhe tatime. E gjitha sipas prokurorisë ka nisur pas një konflikti të brendshëm mes Agron Ramadanit dhe Hysen Hysaj në lidhje me rimbursimin e TVSH-së për nipin e drejtorit Hysaj. Ramadani s’ka pranuar të firmosë dhe madje ka deklaruar se është kërcënuar përmes telefonit edhe nga ish-drejtorja e përgjithshme e tatimeve Briseida Shehaj.

Kjo e fundit u thirr në prokurorinë e Shkodrës në fund të 2016-ës por nuk është vërtetuar se ajo e ka kërcënuar Agron Ramadanin dhe se e ka detyruar të firmosë në mënyrë të paligjshme në favor të subjektit “Halaj sh.p.k”. Sipas prokurorisë ish-zyrtari i tatimeve Agron Ramadani dhe drejtori aktual Hysen Hysaj kanë patur konflikt vetëm për rastin e subjektit “Halaj sh.p.k” ndërsa kanë gjetur mirëkuptim për të dhënë rimbursim në kundërshtim me ligjin për 3 subjekte të tjera në Shkodër. Fillimisht për rastin e ribursimit të TVSH-së në 11 milion lekë të reja për nipin e drejtorit Hysen Hysaj ky i fundit u arrestua por më pas u la me masën e sigurisë “detyrim paraqitje” nga gjykata e Shkodrës. Çështja vazhdoi të ishte në hetim dhe tashmë prokuroria ka çuar për gjykim duke akuzuar drejtorin Hysen Hysaj, dhe dy ish-zyrtarët Agron Ramadani dhe Vahide Idrizi për rimbursim të paligjshëm për 4 subjekte në total me vlerë 200 mijë euro që konsiderohen si dëm financiar ndaj shtetit. Tashmë duhet pritur se si do të shkojë kjo çështje në gjykatën e shkallës së parë në Shkodër.

Artikulli paraprakLISTA SERBE DREJT NDARJES
Artikulli tjetërAKUZA PËR GJUETI TË PALIGJSHME NË LIQENIN E SHKODRËS