Prokuroria e Shkodrës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim ish-drejtorin e Hipotekës së qytetit, Neritan Kalamishi
, një ish-juristin aty Marvin Ramovi, të akuzuar për “Shpërdorim detyre” në bashkëpunim si dhe shtetasin Vate Lari, i akuzuar për “Fallsifikim të dokumentave” pronësorë dhe “Pastrim të produkteve të veprës penale”. Pas një hetimi të Prokurorisë, rezulton se ish-drejtori Kalamishi dhe ish-juristi Ramovi kanë regjistruar në mënyrë të kundërligjshme pronën me sipërfaqe 23 mijë metra katrorë në Velipojë, e cila ishte përfituar në bazë të dokumentave të fallsifikuar nga ana e shtetasit Vatë Lari.
Pak javë më parë, me kërkesë të Prokurorisë, gjykata vendosi nën sekuestro sipërfaqen prej 23 mijë metra katrorë, e cila gjendet në fshatin Baks-Rrjoll në Velipojë. Prokuroria nisi këtë hetim pas kallëzimit të një shtetasi. Nga hetimet ka rezultuar se Vatë Lari, duke fallsifikuar dokumentat e komunës Velipojë dhe të komisionit të kthimit të tokave, është bërë në vitin 2013 pronar i sipërfaqes prej 23 hektarësh, të cilën e ka shitur menjëherë dhe më tej është larguar në drejtim të Francës. Hipoteka e ka regjistruar këtë pronë me 18 shtator 2013. Në dosje ndodhet Akti i Marrjes të Tokës në Pronësi në emër të Vatë Larit, shkresë kjo e Komunës Velipojë me 04 nëntor 2008 por pa një numër protokolli.
Për këtë rast është pyetur ish-kryetari i komunës Velipojë Nikollë Marku dhe Marash Keqi, ish-punonjës i zyrës së bujqësisë të cilët kanë deklaruar se nuk e kanë nënshkruar këtë shkresë dhe pas ekspertimit grafik ka rezultuar se dy ish-zyrtarët nuk e kanë shkruar atë dokument. Shtetasi Vatë Lari 23 hektarët ia ka shitur shtetasit N.S me një kontratë në 5 tetor të 2013-ës dhe më pas është larguar drejt Francës familjarisht.
Pas hetimit, ish-drejtori i Hipotekës Neritan Kalamishi bashkë me ish-juristin Marvin Ramovi dhe shtetasin Vatë Lari do të gjykohen nga gjykata e Shkodrës për “shpërdorim detyre” dhe “fallsifikim dokumentash”, vepra për të cilat akuzohen nga prokuroria.