Prokuroria e Lezhës ka kërkuar dënimin me nëntë vite burg për ish-kreun e Njesisë Administrative Ungrej Gëzim Kola, i vënë nën akuzë për kultivim të bimëve narkotike. Konkluzionet janë dhënë nga prokurori Françesk Ganaj, ndërsa i pandehuri vijon të jetë në arrati. Sipas dosjes hetimore ish-zyrtari i pushtetit vendor ka konsumuar veprën penale “Kultivimi i bimëve, narkotike” kryer në bashkëpunim, ndërsa për dy përsonat e tjerë të ndjerin Kastriot Luka dhe shtetasin Gjergj Ndreca prokuroria ka kërkuar pushimin e akuzës, pasi Luka ka ndërruar jete, ndërsa për Ndrecën nuk është arritur të provohet përfshirja e tij në kultivimin e kanabisit. Pjesë e kësaj dosje është edhe kryeplaku i fshatit Ungrej Zef Boci, por çështja ndaj tij është veçuar dhe po gjykohet në Gjykaten e Lezhës për veprën penale “Shpërdorim Detyre”. Kujtojmë se hetimi nisi pas zbulimit dhe asgjesimit të rreth 4 mijë bimëve kanabis sativa nga Forcat Speciale RENEA në qershor të vitit 2021 në zonën e Ungrejt në Lezhë. Forcat RENEA në operacionin e tyre vitin e kaluar gjetën sasinë e kanabisit të kultivuar konkretisht në fshatin Kashnjet të njësisë Ungrej. Fillimisht gjykata e Lezhës dha masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë për këtë shtetas pas një hetimi disa mujor. Urdhër arresti për funksionarin vendor u lëshua para një viti pasi gjykata caktoi ndaj tij masën e sigurisë arrest me burg në mungesë për “Shpërdorim detyre” dhe “Kultivim i bimëve narkotike”. Sipas burimeve Gëzim Kola arriti që t’i shpëtojë arrestimit të efektivëve duke patur dyshime të forta se ky operacion është dekonspiruar ndaj ish-drejtuesi i njësisë Ungrej që prej asaj kohë vijon që të jetë në arrati duke mos arritur që policia ta arrestojë për ta përballur me dyshimet e ngritura ndaj tij. Pavarësisht se nuk është vënë ende në pranga policia e Lezhës vijon punën për gjetjen dhe më pas arrestimin e Gëzim Kolës si i dyshuari kryesor për rreth 4 mijë bimë kanabisi të kultivuara në fshatin Kashnjet të njësisë Ungrej pasi prokuroria pretendon se ka prova të mjaftueshme që e implikojnë ish-kreun e njësisë administrative me këtë ngjarje duke bërë që organi i akuzës t’i kërkojë gjykatës së Lezhës dënimin e tij me 9 vite burg.