Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla janë duke qëndruar në paraburgim në Burgun e Sigurisë së Lartë, të tre dyshohen për vrasjen e Liridona Ademajt në Prishtinë. Masa e paraburgimit u është vazhduar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, ndërkaq Prokuroria është duke vazhduar me hetimet lidhur me vrasjen e Liridona Murselit, ku dyshohet se bashkëshorti i saj, Naim Murseli kishte urdhëruar vrasjen e saj. Nga Prokuroria Themelore në Prishtinë konfirmojnë për Telegrafin, se çështja është në procedurë hetimore.
“Ju njoftojmë se kjo çështje penale gjendet në procedurë hetimor, për këtë arsye nuk mund të japim informata shtesë, deri në një fazë tjetër”, ka thënë për Telegrafin, Laureta Ulaj, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Naim Murseli dyshohet se me datë 29 nëntor 2023, ka urdhëruar vrasjen e gruas së tij Liridona Ademaj. Për vrasjen e saj janë arrestuar edhe dy persona të tjerë, Granit Plava i cili dyshohet se ka kryer vrasjen, dhe Kushtrim Kokalla i cili dyshohet se ka qenë i përfshirë në planifikimin e vrasjes. Sipas dosjes së Prokurorisë, Naim Murseli kishte siguruar armën dhe e kishte pajisur më armë dorasin dhe kanë inskenuar një grabitje, inskenim i cili kishte ndodhur të mërkurën e 29 nëntorit të këtij viti rreth orës 20:25 në rrugën “Dalip Alshiqi.” Sipas dosjes, derisa Naim Murseli me bashkëshorten dhe dy fëmijët ishin në makinën e tyre, papritmas del para veturës i dyshuari Granit Plava me masë në kokë dhe revole në dorë ku sipas marrëveshjes paraprake i pandehuri Naim Murseli me fëmijë ka dalë nga vetura dhe është larguar nga vendi i ngjarjes kinse për të ikur ndërsa në veturë ka mbetur tani e ndjera Liridona Murseli. Ajo nuk kishte arritur të dalë nga vetura, pasi dyshohet se ishte qëlluar në pjesën e qafës më një plumb, duke mbetur e vdekur në vend. Ndërkaq, në deklaratën e tij në polici, Naim Murseli ishte shprehur se kishin pasur probleme martesore dhe që e kishin pamundësuar vazhdimësinë e lidhjes së tyre, mirëpo sipas tij ai nuk ka qenë i informuar që Plava do e kryente vrasjen atë ditë. Të ndryshme kanë qenë deklaratat e Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës. Plava kishte thënë se kishte kohë që Murseli i bënte presion për t’ia vrarë gruan dhe se ky ishte detyruar sepse kishte probleme financiare dhe shëndetësore. Ndërkaq, Kokalla ka deklaruar se ai nuk ka qenë në dijeni mbi vrasjen e Liridona Ademajt. Për vrasjen e Liridona Ademajt ka pasur reagime të shumta, ku edhe u kërkua dënim maksimal për personat që kanë kryer vrasjen. Liridona Ademaj ka lënë pas vetes dy fëmijë.