Prokuroria e Shkodrës ka përfunduar hetimet dhe dërgon për gjykim tre ish-zyrtarë të komunës Shalë, të akuzuar për “Shpërdorim detyre” në bashkëpunim, pasi kanë shpërndarë rreth 41.500 m2 tokë në zonën turistike të Thethit në kundërshtim me ligjin.
Ish-kryetari i Komunës Shalë (Theth), Dedë Tonaj, në bashkëpunim me ish-vartësit e tij, Tom Shyti dhe Gjovalin Lokthi kanë fallsifikuar dokumenta zyrtarë, në bazë të të cilëve persona të ndryshëm janë bërë pronar të pronave në zonën turistike pa pasur asnjë të drejtë ligjore per përfitim të pronësisë. Pak javë më parë, me kërkesë të Prokurorisë së Shkodrës, gjykata ka vendosur sekuestro preventive për këtë pronë, me sipërfaqe rreth 41.500 m2 tokë. Në bazë të një hetimi të mëparshëm të Prokurorisë së Shkodrës, lidhur me veprimtarinë e ish-drejtuesve të Hipotekës së qytetit, kanë rezultuar të dhëna të tjera mbi veprime të dyshuara si të paligjshme të kryera nga ana e ish-zyrtarëve të Komunës Shalë (Theth).
Në vitin 2008, ish-Kryetari i Komunës Shalë, Dedë Tonaj, ka udhëruar nëpunësin e komunës, shtetasin Tomë Shyti, me detyrë inspektori i taksave pranë komunës dhe kryeplakun Gjovalin Lokthin, të plotësojnë formularë të Aktit të Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP) për banorët e fshatit Theth, në një kohë që nuk është ngritur komision për ndarjen e tokës në fshat ku këta te kenë qenë anëtare dhe nuk është ndjekur asnjë procedurë ligjore për ndarjen e tokës për banorët e fshatit Theth. AMTP janë plotësuar nga shtetasi Tomë Shyti, i cili në rubrikën “Për komisionin e tokë në fshat……
Kryetari” ka vënë emrin e tij dhe ka nënshkruar në këtë cilësi pa e patur atë. AMTP janë vulosur nga kryetari i Komunës Shalë Tomë Shyti dhe nga kryeplaku në atë periudhë kohe shtetasi Gjovalin Lokthi, duke i dhënë këtyre akteve vlerën e dokumentave zyrtarë. Nga te dhënat e pasqyruara në AMTP-të, si dhe nga te dhënat e tjera hetimore, përvec faktit se AMTP janë lëshuar nga autoriteti jo kompetent ligjor krahas te tjerave rezulton se me to u është dhënë pronësia për tokat ne fshatin Theth edhe personave/familjeve që nuk janë banorë të këtij fshati ose që janë banore në fshatra të tjerë te Shkodrës ose në qyetete te tjera apo fshatra të tyre (rreth 67 te tilla) dhe personave, të cilët kanë lindur shumë vite pas dt.01.08.1991, që janë te dtl.1995, 2000….2007 (në bazë të ligjit 7501/1991 përfitonin tokë anëtarët e familjeve bujqësore në vitin 1991).
Ish-kryetari i Komunës Dedë Tonaj, në bashkëpunim me shtetasin Tomë Shyti, me detyrë inspektori i taksave pranë komunës dhe kryeplakun Gjovalin Lokthin, ndër të tjera, ka lëshuar AMTP në kundërshtim me kriteret e përfitimit te tokës edhe në favor të fëmijëve të tij, shtetasve A. Tonaj (dtl. 1998) dhe A Tonaj (dtl. 2001). Për këtë arsye, Prokuroria e Shkodrës ka urdhëruar sekuestrimin e pronave të regjistruara në Hipotekë në emër të 5 shtetasve të ndryshëm, me qëllim që të shmanget tjetërsimi i mëtejshëm i tyre. Ndërsa për tokat e përfituara në mënyrë të paligjshme, por që vijojnë të jenë në proces regjistrimi në Hipotekë, Prokuroria e Shkodrës njofton Avokaturën e Shtetit, për të vijuar procedurat e mëtejshme për të rikthyer në ligjshmëri procesin e ndarjes së tokave në ish-komunën Shalë (Theth).
Pak ditë më parë, Prokuroria e Shkodrës përfundoi hetimet dhe dërgoi për gjykim edhe dy ish-zyrtarë të Hipotekës Shkodër, për një tjetër rast të regjistrimit të rreth 23.500 m2 tokë në kundërshtim me ligjin, në fshatin Baks-Rrjoll, në zonën turistike të Velipojës. Edhe në atë hetim, prona për të cilën dyshohet se është përfituar në bazë të dokumentave të fallsifikuar, është nën sekuestro preventive me urdhër të Prokurorisë së Shkodrës.