Prokuroria e Shkodrës i ka përcjellë materialet Ministrisë së Drejtësisë bashkë me kërkesën për ekstradimin e Ibrahim Licit. Ky i fundit u arrestua sipas policisë shqiptare javën e kaluar në Turqi i dyshuar për vrasje, ndërsa familjarët pretenduan se i shumëkërkuari u vetëdorëzua. Pas kësaj pritet që ministria e Drejtësisë t’i drejtohet shtetit turk me kërkesën zyrtare të ekstradimit. Gjykata Shkodrës, në vitin 2021, i ka caktuar Licit masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armeve shpërthyese dhe municionit”. Ashtu siç mendohej për vendodhjen e tij pas shpalljes në kërkim ndërkombëtar, Ibrahim Lici ndodhej në Turqi.
Pas këtij informacioni, Interpol Tirana ka bashkëpunuar ngushtë me autoritetet policore të Turqisë, për kapjen e tij. Lici u vu në pranga kur Policia turke finalizoi operacionin policor të koduar “Jehona”. Por menjëherë pas publikimit të lajmit, Hamza Lici, vëllai i Ibrahim Licit deklaroi nga Turqia se ky i fundit nuk është arrestuar nga policia, por është vetëdorëzuar me qëllim për të kërkuar azil në shtetin turk për shkak se nuk ndihet i sigurtë në Shqipëri duke akuzuar se shteti shqiptar bashkëpunon me bandat kriminale.
“Vëllai im nuk është arrestuar siç deklaroi me bujë policia e shtetit në Shqipëri por është vetëdorëzuar tek autoritetet turke me qëllim për të kërkuar azil pasi nuk ka besim tek shteti dhe qeveria shqiptare. Shteti në Shqipëri është vërtetuar se bashkëpunon me bandat kriminale ndaj Ibrahimi ka vendosur që të vetëdorëzohet në Turqi. Në Shqipëri vëllait tim i rrezikohet jeta dhe në këtë mënyrë ka vendosur që të vetëdorëzohet. Nuk është e vërtetë se është arrestuar por si gjithmonë policia kërkon që t’i bëjë të bujshme edhe pse nuk ka asgjë të vërtetë. Vëllai im është i pafajshëm pasi nuk ka kryer asnjë vrasje dhe kjo është e vërtetuar por drejtësia shqiptare nuk do që t’i marrë parasysh. Ibrahimi do të ndjekë procedurat e azilkërkuesit në Turqi dhe nuk mund të ekstradohet pasi në Shqipëri jeta e tij është në rrezik nga bashkëpunimi i shtetit me bandat kriminale”, deklaroi Hamza Lici nga Turqia.