Prokurori Ened Nakuçi kërkoi dënimin me 18 vite burg për Klemend Balilin, të ashtëquajturin “Eskobari i Ballkanit”, i cili akuzohet për katër vepra penale.
Por duke qënë se Balili ka hyrë në këtë proces gjyqësor me gjykim të shkurtuar, prokuroria në fund të pretencës së saj, vuri në dukje se i pandehuri përfitoi një ulje prej 1/3 të dënimit, duke kërkuar përfundimisht në gjykatë një dënim prej 12 vite burg.
Por ku implikohet emri i Balilit në këtë dosje? Cila është prova që disponon prokuroria dhe që Balili del zbuluar në këtë çështje dhe që mund ti sjellë dënimin e tij? “Shqiptarja.com” zbardh sot dosjen e plotë të përgjimeve të policisë greke për Klement Balilin.
Kjo dosje që ka sjellë drejtësia greke në Shqipëri është një nga provat më të forta që ka prokuroria shqiptare për akuzat e ngritura ndaj Balilit për trafik ndërkombëtar narkotikësh. Balili akuzohet se ka trafikuar mbi 600 kg hashash në ishullin e Zakynthos në Greqi.
Në ditët e para të muajit Maj 2016, Klement Balili, dyshohet se organizoi transportin nëpërmjet detit nga Shqipëria drejt Greqisë, të një sasie të madhe kanabisi 678 kg,
në marrëveshje të plotë me koordinatorin e transportit Georgios Alyfandi, asistuar nga Ksenofonda Anagnostopulo dhe dy korrierë shqiptarë Petro Dalanaj dhe Kleanth Palaj, të cilët ndodheshin në det, por që sipas akuzës koordinoheshin nga toka nga Balili që qëndronte në Sarandë.
Nga këtu, po sipas dosjes së sjellë nga pala greke Balili fliste me dy numra grekë, duke dhënë urdhra për korrierët e tij dhe koordinuar veprimet me kreun e organizatës greke Georgios Alyfantis.
Drogën që ua dërgonte Balili nga Shqipëria, Alyfantis dhe organizata e tij e përbërë nga Spiridon Kolevris, Athina Vossou, Dimitrios Papamihelakis, Hristos Horianopoulos, Zaharias Rontos, Mihail Sofronas, Nikolaos Tasopoulos, Stamatis Bouropoulos, Stefan Zotos e shpërndante me kamionë në të gjithë Ballkanin dhe vendet e Europës, deri në Angli.
Episodi i fundit i Balilit në këtë trafik droge dhe që është mundur të provohet nga prokuroria, daton në prill 2016 kur nga bregdeti shqiptar pranë Sarandës është nisur drejt bregut grek një skaf, duke kaluar nga ana perëndimore e ishullit të Korfuzit, ku është fshehur në një zonë të pabanuar në brigjet e Greqisë së veriut.
Dy peshkatarët shqiptarë që tashmë ishin korrierët e dërgesës prej 678 kg drogë, Petro Dalanaj dhe Kleanth Palaj, të dy nga Saranda, respektivisht 59 vjeç dhe 22 vjeç, sipas policisë greke nën urdhërat e Balilit, u nisën me një skaf me emrin “Vasiliki”, më 5 maj 2016 dhe e dërguan sasinë prej 678 kilogramësh marijuanë nga brigjet shqiptare për në Greqi.
Të dy peshkatarët transportues mbërritën në ishullin Zakynthos në orët e para të mëngjesit të 7 majit 2016. Atje ata duhej të dorëzonin drogën të tre anëtarë grekë të organizatës kriminale, të cilët udhëhiqeshin në teren nga Georgios Alyfantis, i cili kishte 12 ditë që priste në terren.
Ky i fundit mbante kontakte me Klement Balilin në Shqipëri dhe Petro Dalanaj, që ndodhej në det. Në përgjimet e siguruara ekskluzivisht nga “Shqiptarja.com” Balili sipas akuzës është personi me emrin “Kely”.
Greku Alyfantis në çdo telefonatë i drejtohet Petro Dalanaj me “Baba”, ndërsa Dalanaj i thotë “…biri im…”, duke lënë të nënkuptohet se ata janë babë e bir dhe po bisedojnë për diçka familjare. Ndërkohë që sasia e drogës në përgjime thirrej me emër të koduar “Makina”, ndërsa pakot janë koduar me fjalën “Mali”.
Por, pavarësisht këtij maskimi të sofistikuar, diçka problematike ka ndodhur mes këtyre burrave në det dhe në tokë, që ka prishur skemën dhe kodet e tyre.
Dy korrierët shqiptarë kanë ngatëruar ishullin, vendin se ku ishte rënë dakord të linin mallin, duke e lënë drogën në një ishull tjetër të vogël pranë Zakynthos, që ishte nga pas vendit ku ishte lënë dakord në fillim. Pasi dorëzuan drogën, ata vijuan rrugën me skaf në drejtim të Patrës, por u arrestuan nga policia greke atë ditë.
Pas kësaj ngatërrese dy krerët e grupeve kriminale në Shqipëri dhe Greqi, Balili dhe Georgios Alyfantis, fillojnë të kryejnë një sërë telefonatash shqetësuese, duke biseduar se tashmë “makina” nuk bënte më, kishte dalë jashtë funksionit dhe se “malet” pakot me drogë po numëroheshin nga policia.
Balili dhe Georgios Alyfantis, të dy të mërzitur këshillojnë njëri-tjetrin që të ruajnë qetësinë dhe të mos u bërtasin korrierëve, pasi kanë frikëse mos ata nga paniku mund të bëjnë ndonjë gabim edhe më të rëndë.
Megjithëse dy korrierët nuk ua hapnin telefonat, pasi ishin kapur nga policia. Në një material hetimor që siguron “Shqiptarja.com” evidentohen rreth 20 biseda të përgjuara mes këtyre burrave në det dhe në tokë. Pas dështimit të gjithçkaje greku Alyfantis i thotë në telefon Balilit që ndidhej në Shqipëri se ka ngelur me “bukë, djathë e domate”, ndërsa Kelmenti i premton se herën tjetër do i sjellë një ngarkesë me 5.
Trafikantët grek e shqiptarë flisnin me njëri-tjetrit në telefon, teksa policia greke i kishte nën përgjim. Deri më 8 maj 2016, policia greke dinte se ishte një trafikant shqiptar me emrin “Keli” por nuk dinte identitetin e tij të plotë. Ka qenë një gafë e Klemend Balilit që ka çuar në identifikimin e tij, pasi i ka çuar numrin e pasaportës me telefon shtetasit grek.
Nga përgjimet telefonike të autoriteteve greke por edhe atyre të realizuara në momentin e regjistrimit të procedimit penal nr.44 rezultonte se Klemend Balili përdorte numrin grek 00306971713372, të cilin është i idneitfikuar plotëisht se përdorej nga ky i fundit të paktën që prej shkurtit të vitit 2016.
Në datat 5 maj 2016 dhe deri në datë 8 maj 2016 kur është bërë dhe sekuestrimi i lëndës nakotike, ky shtetas ka mbajtur kontakte Georgios Alyfantis, i cili ishte pritësi dhe organizuesi i pritjes së sasisë së lëndës narkotike cannabis sattiva që vinte nga Shqipëria, me varkën e drejtuar nga Petro Dalanaj.
Konkretisht identifikimi i Baluilit është bërë me sms-të e mëposhtme mes Alifandis, dhe Balilit ku greku i thotë shqiptarit “…Vellai im, dërgo numrin e pasaportës tënde…”. Person shqiptar që deri në këto momente ishte i panjohur në 11 mars 2016, ora 13:23 i dërgon numrin “BF2613552”, që nga konfirmimi në sistemin TIMS është i Klemend Balili,lindur më 20 mars 1972 në Shqipëri, banor në Sarandë Shqipëri.