Prokuroria kërkon sekuestrimin e pasurisë së deputetit Alfred Peza: Ka bërë pastrim parash
Prokuroria e Krimeve te Rënda kërkon në gjykatë sekuestrimin e pasurive të deputetit të Partisë Socialiste, Alfred Peza. Anëtari i parlamentit nga radhët e mazhorancës po hetohet për fshehje pasurie dhe pastrim parash Ndonëse në sekret të plotë, prokuroria ka avancuar në hetimet ndaj deputetit të Partisë Socialiste Alfred Peza. Burime të besuara për News24 konfirmojnë faktin se në gjykatën për Krime të Rënda është paraqitur nga prokuroria një kërkesë për sekuestrimin e pasurive të deputetit të mazhorancës, hetimet ndaj të cilit nisën pak muaj më parë, për fshehje pasurie dhe pastrim parash. Burimet tregohen tejet të rezervuara lidhur me detajet e mëtejshme dhe pasuritë konkrete për të cilat është kërkuar sekuestro. Ajo që dihet është se mbrëmjen e së mërkurës në Prokurorinë për Krime te Rënda ka mbërritur nja material voluminoz dhe vetëm pak orë më vonë, rreth orës 16:00 të së enjtes, prokurorët e Njësisë së Specializuar Task Forcë, e kanë dorëzuar atë në gjykatë. Kërkesa për sekuestro është e detajuar dhe pritet që të zhvillohet seanca për të vendosur nëse pasuritë e deputetit do të vihen ose jo nën sekuestro, sipas ligjit antimafia. Nga hetimet disa mujore, ka rezultuar deputeti i mazhorancës, nuk ka mundur të justifikojë pasurinë e tij. Hetimet ndaj Alfred Pezës, nisën pas publikimit të një kontrate noteriale, sipas së cilës bashkëshortja e tij, kishte investuar shumën prej 1.14 milionë dollar për të blerë aksione në një bankë të nivelit të dytë. Prokuroria e përgjithshme e vuri emrin e Alfred Pezës, në regjistrimin e personave që u atribuohet vepra penale dhe kërkoi dëshminë e tij. Ligjvënësi socialist jashtë dyerve të prokurorisë deklaroi për mediat se çdo qindarkë të pasurisë së tij e ka fituar me punë të ligjshme. Pas ish-deputetit kristiandemokrat Mark Frrokut, kjo është kërkesa e dytë nga prokuroria për sekuestrimin e pasurisë së një anëtari të parlamentit.