Gjykata për Krimet e Rënda liron nga qelia katër personat e dyshuar për përgatitjet e një sulmi terrorist gjatë ndeshjes së futbollit Shqipëri-Izrael në Shkodër.

Në seanca të zhvilluara të martën dhe të enjten gjykata zëvendësoi masën e sigurisë “arrest në burg” për ta në atë të “arrestit shtëpiak” për shkak të përfundimit të afatit 1 vjeçar të hetimit. Pak ditë para përballjes mes kombëtares shqiptare të futbollit dhe asaj izraelite në 12 nëntor 2016 në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër anti-terrori arrestoi katër persona. Ata dyshoheshin se po përgatisnin një sulm terrorist gjatë zhvillimit të ndeshjes. Një vit pas nisjes së këtij procedimi penal, asnjë prej të dyshuarve nuk ndodhet në qeli. Gjykata për Krimet e Rënda liroi të enjten të dyshuarit Ergys Fasllia dhe Bekim Protopapa. Burime pranë gjykatës sqaruan për “ABC News” se për të dyshuarit ishte përmbushuar afati një vjeçar i hetimit. Për këtë shkak, gjykata vendosi zëvendësimin e masës së sigurimit “arrest në burg” duke caktuar për ta “arrest shtëpiak”. Në këtë lloj masë sigurimi do të vijojë hetimi edhe për të arrestuarit e tjerë për të njëjtën ngjarje, Xhezair Fishti dhe Medat Hasani. Ata u liruan nga qelia me urdhër të Krimeve të Rënda përmes një vendimi të shpallur pak ditë më parë. Ergys Fasllia, Bekim Protopapa, Xhezair Fishti e Medat Hasani u arrestuan në nëntor të vitit të kaluar. Ata u prangosën pas një informacioni të mbërritur nga shërbimet partnere, mbi përpjekjen e disa personave për të të siguruara lëndë plasesë, që dyshihet të futej në stadium. Pas arrestimit, gjatë caktimit të masave të sigurisë dhe në vijim ata pretenduan se të gjitha dyshimet e ngritura ndaj tyre ishin të pavërteta dhe të pabaza. Në deklarimet e tyre para gjykatës ata mohuan me forcë akuzat dhe pretenduan se ishin arrestuar vetëm prej faktoit se i përkisnin besimit mysliman.

Artikulli paraprakTRENI PËRPLAS MAKINËN E POLICISË
Artikulli tjetërSHKATËRROHEN GRUPET SHQIPTARO – GREKE TË DROGËS