Reparti RENEA nuk ka shkelur ligjin për përdorimin e armëve të zjarrit më 28 tetor 2018 kur neutralizoi ekstremistin Kostandino Kacifas që qëllonte me armë ndaj policisë në Bularat të Gjirokastrës, i cili mbeti i vrarë.

Është ky raporti i grupit hetimor administruar në dosjen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila ka të hapur hetimin pas kallëzimit të familjarëve të Kacifas se policia e vrau atë edhe pse mund ta shmangte vrasjen duke e plagosur.

Ky hetim është ende i hapur por pritet që të rihidhet shorti i dosjes për tu zgjedhur një grup i ri prokurorësh, pasi dy hetuesit aktual janë larguar.

Besnik Muci u zgjodh gjyqtar Kushtetues duke lënë postin e prokurorit të Krimeve të Rënda ndërsa Njazi Seferi për arsye shëndetësore i paraqiti KLP-së dorëheqien e cila u miratua.
Me rishortimin e kësaj dosje pritet caktimi i hetuesve të rinj ndërsa po ashtu me administrimin e akt-ekspertizës mjeko-ligjore do të vendoset edhe fati i këtij hetimi.

Përgjatë 72 orëve të fundit përfshi edhe 28 tetorin e këtij viti në Bularat pati përkujtim të Kacifasit dhe riakuza të familjarëve të tij ndaj institucioneve shtetërore, por hetimi ndaj repartit Renea tregon se ata nuk kanë shkelur ligjin.

Për të arritur në këtë konkluzion prokuroria ka bërë administrimin e planit operacional, pamjeve filmike të vetë repartit RENEA dhe atë të Kacifasit, i cili qëllonte me armë automatike në mes të fshatit Bularat më 28 tetor 2018.

Artikulli paraprakVRASJA E LAZËR ARRA, FAMILJARËT: KUSHËRIRI S’ËSHTË AUTORI
Artikulli tjetërSEKUESTROHEN 43 KG KANABIS ÇOKOLLATË, 3 TË ARRESTUAR