Prokuroria e Tiranës me anë të një shkrese drejtuar Dhomës Kombëtare të Noterisë, ka urdhëruar të gjithë noterët ne vend që të njoftojnë policinë nëse pranë tyre paraqitet ish-kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku.
Ish-kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku vijon të jetë në kërkim nga Policia e Shtetit që prej datës 9 Nëntor. Dyshimet e prokurorisë janë se Kajmaku ka firmosur shkarkimin nga detyra të dy n/ kryetarëve, pasi KQZ i hoqi mandatin më 1 Nëntor. Ndërsa avokati i Kajmakut pretendon se këto dy lëvizje janë bërë më 31 Tetor, siç e tregon edhe kjo shkresë. Për këtë arsye, ai mund të paraqitet te noteri për t’i dhënë prokurë avokatit për ta përfaqësuar.
Kjo shkresë që mban firmën e drejtuesit të seksionit, Kolë Hysenaj, u është shpërndarë të gjitha zyrave të noterisë në vend.
“Noterët të njoftojnë policinë, nëse para tyre paraqitet Agim Kajmaku. Nëse nuk njoftojnë, noteri do të mbajë përgjegjësi ligjore”, thuhet në shkresën e Prokurorisë.
Agim Kajmaku, i shpallur në kërkim me vendim gjykate është nën akuzë për tri vepra penale “Shpërdorim detyre”, “Falsifikimi i formularëve” dhe “Ushtrimi i funksioneve pas dhënies fund të detyrës”.