Dhjetëra banorë të fshatit Dobraç pranë qytetit të Shkodrës kanë protestuar të enjten duke kërkuar shpronësim për tokat që u janë marrë për shkak të ndërtimit të Bajpasit në periferi të qytetit.
Janë rreth 50 familje, pronat e të cilëve janë prekur nga investimi i bajpasit, por në asnjë rast nuk janë nisur procedurat e shpronësimit. Të gjithë këta banorë zotërojnë dokumentacionin e pronësisë. Banorët nuk kanë hezituar edhe të përplasen me punonjësit e firmës që ditët e fundit ka rinisur punimet në bajpas.
Ndërkohë, drejtuesit e firmës që aktualisht po kryen punime nuk kanë dhënë asnjë shpjegim. Punimet kanë nisur prej ditësh, ku një numër i konsiderueshëm mjetesh është angazhuar për nivelimin e bajpasit. Ndërkohë, banorët së fundmi kanë konstatuar se po zgjerohet bajpasi duke reduktuar sërish pronat e tyre.
Pavarësisht kësaj, ata nuk kanë marrë asnjë masë shpronësimi, edhe pse në vitin 2010 kur nisi ndërtimi i kësaj rruge anësore, emrat e disa banorëve të Dobraçit u afishuan në media si përfitues të shpronësimit që prekte investimi. Që nga ajo kohë, kjo është protesta e dytë e banorëve, të cilët akoma nuk po arrijnë të gjejnë një zgjidhje përfundimtare për të marrë paratë për tokat e tyre.