31 familje që jetojnë në pallatin e ish rezervave të ndërtimit në lagjen “Skenderbeg” në Shkodër janë përplasur me shtetasin Gjon Shkambi i cili pretendon se ajo tokë është pronë e tij. Ky konflikt për pronësinë vijon prej 10 vitesh në një betejë ligjore mes banorëve dhe shtetasit Shkambi.

Ditët e fundit Shkambi është futur në një prej banesave duke qenë se personi që jetonte brenda ndodhej në Itali. Hyrja me forcë ka irrituar banorët e tjerë të cilët janë përplasur me Gjon Shkambin duke njoftuar edhe policinë. Efektivët shoqëruan shtetasin Shkambi pas denoncimeve të banorëve të cilët shprehen se dokumentet e tij janë të falsifikuara dhe pa akt trashëgimie.

31 familjet në vitin 1992 kanë hyrë në godinën e ish rezervave të ndërtimit me një vendim të Bashkisë Shkodër të asaj kohe. Para 3 vitesh këta banorë kanë patur një tjetër përplasje me Përmbarimin në Shkodër të cilët tentuan për t’i nxjerrë jashtë 31 familjet por rezistuan me forcë duke thënë se edhe vendimi i Përmbarimit ka rënë poshtë dhe nuk ka vlerë ligjore. Konflikti mes banorëve dhe shtetasit Gjon Shkambi që pretendon se është pronari i ligjshëm vijon ndërsa është e paqartë se cila do jetë zgjidhja përfundimtare.

Artikulli paraprakSHTOHEN QENTË ENDACAK NË SHKODËR
Artikulli tjetërBASHA NË KRYE TË PD PAS 29 KORRIKUT? BARDHI: S’KA VENDIM TË KËSHILLIT KOMBËTAR PËR MBAJTJEN E ZGJEDHJEVE