Shoferët të cilëve policia i ka pezulluar patentat deri më tani mund të shpëtojnë nga kjo vuajtje. Një nisëm e re ligjore është propozuar nga deputeti i Partisë Socialiste Pjerin Ndreu.

Ky i fundit ka propozuar që ata drejtues mjetesh që pranojnë të paguajnë dyfish gjobën për shkeljen ndaj Kodit Rrugor mund të marrin në dorë patentën pa patur nevojë që leja e drejtimit të qëndrojë e pezulluar për një muaj ose edhe më shumë në varësi të shkeljes.

Megjithatë kjo lehtësi e parashikuar nuk përfshin të gjithë. Projektligji për ndryshimin e Kodit Rrugor parashikon vetëm emigrantët shqiptar të cilët kanë patenta të lëshuara nga një shtet i huaj por edhe shtetasit e huaj.

Propozimi kërkon që të lehtësojë problematikën që hasin shpesh herë emigrantët shqiptarë kur vijnë në vendin e tyre,

shqiptarët e Kosovës apo edhe shtetasit e huaj të cilët sorollateshin deri tani në dyert e institucioneve pasi policia i pezullonte patentën për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor.

Për më tepër Parlamenti do ta ketë në dorë këtë ndryshim i cili kërkon një shumicë prej 84 votash dhe në rast se merr dritën jeshile në Kuvend atëherë shtetasit shqiptar që kanë patentë të huaj

dhe vetë të huaj munden që të mos e lënë patentën të pezulluar duke paguar dyfish shumën e gjobës së vendosur nga policia rrugore për dispozitën e shkelur.

Po ashtu institucioni i Prefektit që pezullonte lejet e drejtimit të lëshuara nga një shtet i huaj tashmë s’do ta ketë më këtë të drejtë sipas propozimit të deputetit Ndreu.

Kjo për shkak se: “Nga zbatimi në praktikë i pikës 3 të nenit 127 të Kodit Rrugor kanë lindur vështirësi dhe pengesa.

Kjo pikë e këtij neni është amenduar edhe në vitin 2011. Por përsëri zbatimi i pikës 3 nuk ka siguruar një normalitet të punës për organet zbatuese të ligjit dhe në mjaft raste janë konstatuar edhe elemente korruptive”, përfundon propozimi.

 

Artikulli paraprakÇIKLIZËM, VLLAZNIA PËRGATITET PËR KAMPIONATIN KOMBËTAR
Artikulli tjetërISH ANËTARI I BORDIT: TURP, JU E SHKATËRRUAT VLLAZNINË