Prostitucion dhe trafik droge, shkatërrohet organizata kriminale shqiptare
Tetë persona, 5 shqiptarë, dy italianë dhe një maroken janë arrestuar nga karabinierët e Torinos në Itali, raportojnë sot mediat lokale, për shpërndarje droge, shfrytëzim prostitucioni dhe evazion. Gjatë hetimeve, janë arrestuar më herët edhe 5 persona dhe janë sekuestruar 3 kg marijuanë, një pistoletë gjysmë automatike dhe 41 mijë euro. Kreu i organizatës, është mbajtur nën arrest shtëpiak në një shoqatë vullnetare. Grupi kriminal, sipas hetuesve, trafikonte një sasi të konsiderueshme kokaine dhe marijuanë dhe shfrytëzonin 7 vajza për prostitucion. Katër prej tyre ishin nga Europa lindore dhe shfrytëzoheshin në Torino, ndërsa 3 të tjera italiane, të cilat shfrytëzoheshin edhe në “tur”, pra në qytete të tjera italiane si Genova, Milano, Roma e Leçe.