Ditën e djeshme sindikatat e arsimit dhe Ministria e Arsimit kanë rënë parimisht dakord për shpërblimin e fundvitit për çdo mësues.
Pritet që sot kjo gjë të diskutohet edhe në mbledhjen e qeverisë. Në takimin e ditës së djeshme ishin të pranishëm drejtuesit e sindikatës, specialistë të MAS, por edhe përfaqësues të Ministrisë së Financave. “Përfaqësuesit e SPASH/FSASH dhe specialistët e MAS zhvilluan bisedime me drejtoreshën e Përgjithshme të Buxhetit në Ministrinë e Financave. Palët ranë dakord për dhënien e shpërblimit dhe drejtoresha do t’i dërgojë një memo ministrit të Financave për ta diskutuar nesër në mbledhjen e qeverisë. Jemi në pritje të vendimit që do të merret nesër për zgjidhjen e kërkesës sonë”, – njofton Sindikata e Pavarur e Arsimit të Shqipërisë.
Sipas presidentit të SPASH, Nevrus Kaptelli, çdo gjë varet nga qeveria tashmë, pasi në bisedimet e bëra u ra parimisht dakord për shpërblimin e fundvitit për çdo mësues. Për të plotësuar kërkesën e tyre, duke iu dhënë shpërblimin prej 10 mijë lekësh për rreth 35 mijë arsimtarë, qeveria duhet të akordoi minimalisht një fond prej 350 milionë lekësh. Sa u përket kërkesave të tjera të mësuesve, në takimin e parë që përfaqësuesit e sindikatës bënë me ministren e Arsimit, Lindita Nikolla. Ministrja premtoi funksionimin së shpejti të Këshillit Kombëtar dhe të Këshillave Vendor të Arsimit Parauniversitar; përgatitjen e propozimit të VKM-së për zgjidhjen e problemit të pagesës se transportit të mësuesve sipas propozimit që kanë dërguar sindikatat, si dhe pagesën e orëve mbi normë për çdo mësues.