Me anë të një deklarate për shtyp në orët e mbrëmjes, Policia e Tiranës ka njoftuar se Partia Demokratike ende nuk ka përmbushur të gjitha kërkesat ligjore për mbajtjen e tubimit.

“Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka kontaktuar përfaqësues të degës së Partisë Demokratike, duke u kërkuar që të plotësojnë kërkesën e sjellë prej tyre konform ligjit nr. 8773, datë 23.04.2001 “Për tubimet”, konkretisht, përcaktimin e orës së përfundimit të tubimit, personave përgjegjës në mbarëvajtjen e tubimit, personat që do të flasin në këtë tubim, etj. Partia Demokratike nuk ka plotësuar ende të gjitha kërkesat ligjore të mësipërme që do të mund të bënte protestën e organizuar prej saj plotësisht ligjore në funksion të garantimit të mbarëvajtjes së saj nga Policia e Shtetit”, thuhet në njoftimin e Policisë së Tiranës.

Në deklaratë, përcaktohen edhe rrugët që do të bllokohen për shkak të mbajtjes së protesës së opozitës, e cila do të nisë ditën e shtunë nga ora 12:00. “Ndalohët parkimin dhe qarkullimi i të gjitha kategorive të mjeteve në segmentet rrugorë: – nga ora 07:00 deri në përfundim të protestës – Rrruga “Papa Gjon Pali II”, nga Sheshi “Italia” deri tek kryqëzimi në Bulevardin “Bajram Curri”. – nga ora 11:30 deri në përfundim të protestës – Sheshi “Skënderbej”, Rruga “Myslym Shyri”, nga kryqëzimi me Rrugën “Ibrahim Rugova” deri tek Kryqëzimi me Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” – Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” deri tek Kryqëzimi me Rrugën “Ibrahim Rugova”, – Bulevardi “Bajram Curri” nga kryqëzimi me rrugën “Ibrahim Rugova”, deri tek kryqëzimi me rrugën e “Elbasanit””.

Ndonëse opozita ka deklaruar se protesta do të jetë paqësore, Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat për të shmangur incidentet apo situatat e dhunës. Rreth 2 mijë efektivë nga 6 komisariatet e kryeqytetit do të jenë në terren ndërkohë që në gatishmëri do të kalojnë edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe reparti RENEA. Për të ulur tensionet, kordonet me police femra siç jemi mësuar të shikojnë në protesta të ngjashme, nuk pritet të mungojnë as paraditen e së shtunës.

Artikulli paraprakPËRSHËNDETJA E RAMËS PAK ORË PËRPARA PROTESTËS SË PD
Artikulli tjetërGAZETARJA RRIHET BRUTALISHT NGA PERSONA TË PANJOHUR