Protesta e Partisë Demokratike po ndiqet ‘live’ edhe nga Kryeministri Rama.
Ai e transmetoi atë drejtpërdrejtë në profilin e tij në Facebook, duke bërë një paralelizëm me 21 Janarin e 2011. “Vetëm 6 vjet më parë, Ziveri, Hekurani, Aleksi, Faiku u vranë nga pushkët e shtetit të kapur prej pushtetit, pikërisht në bulevardin ku në këtë moment protestohet, pa gardhe telash me gjemba dhe asnjë frikë e trysni nga shteti. Prandaj s’mund të mos jemi sot krenarë, edhe për këtë ndryshim kaq rrënjësor në rrugën tonë për të bërë shtet, ku padiskutim ka rezistencë e pakënaqësira të natyrshme”, thotë Rama. “Është padyshim një rrugë shumë e vështirë. Reformat e vërteta nuk janë aspak të lehta, madje shpesh janë operacione mjaft të dhimbshme. Por s’ka asnjë të ardhme të sigurt për vendin, shoqërinë, fëmijët tanë, pa i operuar me kurajo pjesët e kalbëzuara në vite të organizmit të shtetit”, vijon komentin e tij Kryeministri. “Ata janë të vetëdijshëm edhe për vështirësitë, edhe për domosdoshmërinë e reformave. Shqipëria dhe shqiptarët e lënë 25 vjet në baltën e një tranzicioni të gjatë pa reforma, meritojnë vazhdimin me vendosmëri të tyre, e veçanërisht të reformës në drejtësi! E cila duhet zbatohet një orë e më parë duke filluar nga Vettingu. Ne do të ndjekim e dëgjojmë me respekt, çdo shprehje pakënaqësie të pakicës, por nuk do të ndalemi asnjë minutë në përmbushjen e misionit tonë për të bërë shtet. Ju uroj të gjithëve një fundjavë të mbarë!”, mbyll reagimin e tij kreu i Qeverisë.