POSTIMI I EDI RAMËS NË FACEBOOK

Të gjithë demokratëve të zakonshëm, që e duan Shqipërinë njësoj si unë, si ne të tjerët, që s’jemi votues të Partisë Demokratike, kam dëshirë t’u them vëllazërisht sot: Mos u ligshtoni! Pamja gjysëm e zbrazët e bulevardit sot, më trishtoi edhe mua, jo më ju! Më trishtoi sepse, pavarësisht se jam kundërshtar natyral i PD-së, nuk ndjehem aspak mirë që një parti e madhe shqiptare, është katandisur sot në një fantazëm të jetës sonë politike, në arratinë e saj prej zgjedhjeve për parlamentin e ri.

 

Më trishtoi sepse, pavarësisht se as e kam votuar e as kam për ta votuar ndonjëherë PD-në, nuk ndjehem aspak mirë që votuesit e saj kanë mbetur sot jetimë të një republike fantazëm. E cila u premtohet, si oazi i një jete ku rafsha mos u vrafsha, ku të gjitha problemet e kësaj toke, janë të zgjidhura si me magji. Më trishtoi sepse, nuk arrij dot as ta imagjinoj, se si një grusht njerëzish, më saktë dy burra, njëri i tmerruar nga drejtësia e tjetri i lemerisur nga zgjedhjet, ta asgjesojnë një forcë historike si PD-ja, për interesat e tyre krejt vetjake. Po më shumë akoma më trishtuan edhe dy fraza ilustruese të kësaj pamjeje, që flet më shumë se 1000 fjalë për katandinë e PD-së!

E para ishte fraza e liderit historik, kthyer tanimë në një fantazëm digjitale: 600 mijë vetë në bulevard! E dyta ishte fraza e kryetarit që s’u bë dot lider, kthyer tanimë në një rob i gënjeshtrave të veta: 600 mijë vetë në bulevard! A ka nevojë për t’i dëgjuar më shumë, që të kuptosh se ose u ka dalë vetja krejt nga kontrolli, prej frikës së drejtësisë së re që po troket dhe lemerisë nga 18 qershori që po afron, ose pastaj tallen pa asnjë skrupull me vetë demokratët e zakonshëm, me hallet, problemet, nevojat e shpresat e tyre!

Nuk e di as vetë cila nga këto të dyja është e vërteta, mbase të dyja bashkë, por një gjë është e sigurtë: Lidershipi i PD-së nuk ka më asnjë lidhje me bazën e PD-së, asnjë lidhje me ata që e kanë votuar PD-në zgjedhjet e shkuara dhe që do ta votonin prapë, nëse PD-ja nuk do të arratisej jashtë sistemit demokratik, në rrugën qorre të bojkotit të turpshëm të takimit me popullin sovran në zgjedhjet parlamentare. Përralla pa asnjë kufi dhe cinizëm pa asnjë cak, siç po tregohen e manifestohen prej lidershipit të PD-së sot, nuk janë dëgjuar e as parë qysh nga koha e rënies së komunizmit në këtë vend.

Por sidoqoftë, dua t’u them demokratëve të zakonshëm, atyre që kanë njëqind e një arsye për të protestuar, njëqind e një motive për t’u ndjerë jo mirë me qeverinë tonë, njëqind e një shembuj për të treguar mbi çfarë ne nuk kemi ditur të bëjmë më mirë apo thjesht kemi bërë gabim: Unë mbase nuk e zëvendësoj dot kurrë boshllëkun që ka lënë brenda jush, arratisja e PD-së në drejtim të paditur! Ne mbase nuk arrijmë dot kurrë të ndajmë të njëjtat bindje, të njëjtat sfida, të njëjtin drejtim politik në rrugën e të ardhmes. Por me siguri, unë dhe ju, kemi sot shumë më tepër gjëra të përbashkëta, se sa ju me ata që janë ngujuar në bunkerin prej plastmasi në bulevard, nga frika e drejtësisë!

Unë dhe ju, duam Vetingun për të pastruar drejtësinë nga gjykatësit e prokurorët e korruptuar. Unë dhe ju duam një Shqipëri që nuk lufton me miqtë e partnerët e saj ndërkombëtarë, për interesat e disa politikanëve të korruptuar, që janë kapur me thonj pas pantallonave të gjykatësve e prokurorëve të korruptuar. Unë dhe ju duam të hapim negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Unë dhe ju duam që ekonomia të rritet më shumë e më shpejt, duke çliruar me çdo kusht drejtësinë, për të thithur më shumë investime, dhe duke fuqizuar më tej arsimin profesional, për të pasur krah pune më të kualifikuar në ekonomi. Unë dhe ju duam që çdo shtëpi të legalizohet, çdo biznes të paguajë taksat në bazë të fitimit, çdo fëmijë të ketë një shkollë të denjë dhe çdo i sëmurë të marrë shërbimin shëndetësor që meriton. Unë dhe ju, në fund të fundit, duam të shohim nga e ardhmja dhe të ndërtojmë të ardhmen në këtë vend, ndërkohë që dy udhëheqësit tuaj, duan ta pengojnë rrugën drejt të ardhmes, për të shpëtuar nga drejtësia gjykatësit e prokurorët që ju kanë mbytur juve, po njësoj si edhe socialistët e zakonshëm, për 27 vjet me radhë… Nuk ju bëj thirrje të bëheni pjesë e Partisë Socialiste, po të bëhemi bashkë në 18 qershor!

Për të hapur një faqe të re në historinë e Shqipërisë që duam, me shtet, punë, mirëqenie. Nëse Partia Demokratike e shpërfilli votën tuaj, Shqipërisë i duhet edhe vota juaj! Për të ngritur më lart flamurin kuqezi të Skënderbeut e të Ismail Qemalit, duke bërë shtetin tonë dhe duke e bërë Shqipërinë edhe më të respektuar nga fqinjët e nga bota ku jetojmë. Bëhuni bashkë me mua në 18 qershor dhe unë ju jap fjalën se nuk do të pendoheni, por do të ndjeheni edhe ju pjesë e vendimit të parë që do të marrë parlamenti i ri, menjëherë pas formimit të qeverisë së re: Zhbllokimi i Vetingut dhe fillimi i zbatimit të Reformës në Drejtësi! Respekt për të gjithë ju, pavarësisht kundërshtive që keni ndaj meje e qeverisë sot, dhe pavarësisht nëse do të bashkoheni apo jo me mua në takimin historik të 18 qershorit.

Dhe mos e harroni, 18 qershori nuk është tanimë as për mua, as për ju, po për gjithë Shqipërinë!

/ Star Plus TV /

Artikulli paraprakBREGU: BERISHA NUK PËRSËRITET, DEMOKRATËT JANË VETËM
Artikulli tjetërPALOKA, RAMËS: NUMËROVE PROTESTUESIT SI ARAT ME KANABIS