Protesta e PD, Policia: Materiale procedurale për organizatorët në Prokurori
Policia e Shtetit lëshoi një deklaratë në lidhje me protestën e opozitës përreth një orë ku u bllokuan disa akse nacionale, duke theksuar se gjatë zhvillimit të tubimeve janë dokumentuar shkelje të ligjit për organizimin e protestave. Për këtë, Policia e Shtetit thotë se po punon për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale, ndërsa këto veprime do t’u paraqiten Prokurorive të rretheve gjyqësore përkatëse për ndjekje penale. “Në bazë e në zbatim të ligjit, strukturat e Policisë pas fiksimit dhe mbikëqyrjes profesionale të protestave të paligjshme, kanë përpiluar materialet procedurale, për organizatoret dhe shkelësit e ligjit dhe materialet do të referohen për fillimin e çështjes penale në Prokuroritë e rretheve gjyqësore, respektive, Tiranë, Kurbin, Elbasan e Lushnjë”, thuhet në deklaratë. Për rreth 1 orë, tre pika kyçe në akset kryesore kombëtare rrugore dhe 2 nyje lidhëse në Tiranë u bllokuan nga një protestë e subjektit politik Partia Demokratike, megjithëse Policia e Shtetit në zbatim të kërkesave të ligjit nuk miratoi lejen për mbajtjen e këtyre tubimeve. “Pretendimi i organizatorëve të kësaj veprimtarie të paligjshme, se ata thjesht e lajmërojnë Policinë dhe e bëjnë tubimin edhe aty ku kërcënohet siguria e qytetarëve apo pengohet seriozisht qarkullimi i njerëzve e mallrave, është i papranueshëm ligjërisht”, thuhet më tej. Policia e Shtetit thekson gjithashtu se “me gjithë rezidencën e disa prej organizatorëve të mitingjeve të paligjshme, mundi me sukses të devijojë qarkullimin e mjeteve në disa akse dytësore dhe rrugë paralele, për të lehtësuar brenda mundësive të kufizuara, trafikun e rënduar dhe bllokimin e qytetarëve”. Gjithashtu u morën masa për mbajtjen hapur të korsive të emergjencës për ambulancat, që transportuan gjatë këtij harku kohor disa qytetarë në nevojë, duke garantuar ndihmën e nevojshme mjekësore në kohë dhe shmangur pasojat për jetën e shëndetin e njerëzve.