Ish-kryeministri Sali Berisha nga dritarja e protestës që vijon prej 30 dhjetorit të vitit të kaluar i bëri thirrje të gjitha forcave politike që shpallin veten opozitare të vijnë në betejën që nis nga dyert e Bashkisë së Tiranës.

“Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, mirënjohjet më të pakufishme ju luftëtarëve të pathyeshëm të guximit, të lirisë, dinjitetit, të shpresës së shqiptarëve.

Demokrate dhe demokratë, u përshëndes ju, përshëndes oratorët që e shndërrojnë platformën e kësaj proteste në platformën e të vërtetës, në platformën e mbrojtjes së interesave të qytetarëve të Tiranës dhe Shqipërisë. Mbrojtjes së interesit kombëtar dhe idealeve demokratike të qytetarëve shqiptarë. Të dashur miq, 48 orë na ndajnë nga dita e fitores. 48 orë! Ndaj dhe unë, sonte kam një thirrje për çdo qytetar të Tiranës të bëjë gjithçka për të firmosur ditën e premte fitoren e tij, fitoren e fëmijëve të tij, fitoren e Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë. Thirrja ime është për çdo demokrate dhe demokrat të kryeqytetit, të ngrihet në lartësinë e idealeve të tij, sakrificave të pamerituara, vuajtjeve që i ka krijuar regjimi antishqiptar i Edi Ramës në këto 11 vite. Të lërë çdo gjë dhe të prijë ditën e premte në betejën e fitores. Sot ftoj të gjitha forcat politike që shpallin veten opozitare të vijnë në betejë se beteja është prova e moralit opozitar, e guximit opozitar, e opozitarizmit të vërtetë.

U bëj thirrje të rinjve, të rejave të jeni të parët në këtë betejë sepse në qoftë se Erion Veliaj, Tiranën që duhet të ishte foleja e familjeve tuaja të reja, duhet të ishte shtëpia më e bukur e ëndrrave tuaja, ia ka dorëzuar mafies. Ndaj dhe ju nuk keni alternativë tjetër veçse largimin prej saj. E premtja është dita për të treguar guximin tuaj, forcën tuaj, fitoren tuaj. Të dashur miq! Beteja për çlirimin e bashkisë është betejë për jetën ose vdekjen e demokracisë në Shqipëri. Ftoj çdo qytetar, ftoj çdo demokrat, ftoj çdo opozitar të mendojë se çdo të thotë për të nesërmen e tij. Se ç’do të thotë për të nesërmen e fëmijëve të tij. Se ç’do të thotë për të nesërmen e shoqërisë shqiptare, kombit dhe Shqipërisë. Në rast se me fuqinë tonë nuk kapim për zverku të nxjerrim jashtë bashkie, kryehajdutin, kryehorrin e Tiranës. Demokrate e demokratë, kjo është betejë vendimtare. Kjo betejë nuk mund të humbet. Kjo betejë vetëm fitohet. Nuk ka forcë në botë që të na ndalë ne pa përmbushur detyrimin tonë, shporrjen nga bashkia të Erion hajdutit dhe hajdutëve të tjerë.

Erion, i tmerruar nga vrulli qytetar, zemërimi qytetar kalon nga një vend në tjetër. Por të jap fjalën e nderit, se edhe në Hënë po shkove, do të kapim dhe do të çojmë atje ku e meriton. Dëgjo këtu o hajdut që shpërndan fotot me këtë apo atë qeveritar, mos harro se edhe Saimir Tahiri me Ediskobarin shkuan në Shtëpinë e Bardhë, por ku përfundoi Saimir Tahiri pastaj? Nuk ke të ardhme, gjyqin do ta bëjmë në sheshin Skënderbej. Ndaj dhe kthehu të japësh dorëheqjen, mos të të heqim në mënyrën më të vendosur dhe të japim atë që meriton. Kthehu se je një shpifësirë që nuk ke pasur shok kurrë në ndonjë administratë. Ke vjedhur 100 përqind të fondeve, në vjedhur paratë e varrezave, ke vjedhur paratë e shkollave, ke vjedhur paratë e ndihmës ekonomike. Kthehu se do të të kthejmë ashtu siç nuk ta pret mendja. Nuk ka forcë në botë që të na e marrë ne fitoren nga duart. Fitorja është e jona, mjerë ti. Mos provoko bashkinë.”, theksoi Berisha.

Artikulli paraprakBALLA TAKON PRESIDENTIN E EMIRATEVE TË BASHKUARA ARABE, MUHAMMED BIN ZAYED AL NAHYAN
Artikulli tjetërSTAR KIDS – 24.04.2024