Ka nisur protesta e opozitës në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Basha dhe Kryemadhi mbërritën përpara duke iu bashkuar protestuesve. Kryetari i PD shoqërohet edhe nga bashkëshortja e tij, Aurela. Përpara Kryeministrisë kanë mbërritur ndërkohë protestues nga rrethet të cilët kanë përshkuar kryeqytetin përmes disa drejtimeve si Rruga e Elbasanit, sheshit Skënderbej, si dhe selitë e PD dhe LSI.
Opozita shqiptare proteston për anulimin e zgjedhjes së kryeprokurores së përkohshme Arta Marku, largimin e qeverisë ‘Rama 2’ dhek ijimin e një qeverie antimafia, por njëkohësisht kauzës së protestës i janë dhënë edhe ngjyrime ekonomike e sociale për shkak të varfërisë dhe papunësisë që ka pllakosur vendin, sipas opozitës. 1500 policë janë në terren për të shmangur incidentet, ndërsa janë disa rrugët që bllokohen. Protesta do të mbikëqyret edhe nga ekspertë të huaj. Ministria e Brendshme bën me dije se plani i masave është bërë me mbështetjen e misioneve të vendeve partnere, të cilat asistojnë Policinë e Shtetit.
Basha: ‘Rama ik’ qeveri anti-mafia për Reformën në Drejtësi dhe zgjedhje të lira “Mirë se keni ardhur për të marrë vendimin e madh të kësaj gjykate popullore për Edi Ramën dhe bandën e tij. Qindra shqiptarë janë në këtë shesh për të ndalur të keqen. Sot ne që jemi këtu shumë më shumë se 18 shkurt, por edhe ata që qëndruan larg e shohin që e keqja është e vërtetë, nuk ikën vetë dhe nuk ikën nëse nuk luftohet. E keqja nuk ikën nëse nuk bashkohemi të gjithë kundër saj. Ja ku jemi bashkuar sot. Mirë se keni ardhur në këtë orë vendimtare të bashkimit të popullit kundëër së keqes. Në këtë shesh të historisë dhe të së ardhmes. Sot jemi bashkuar për të refuzuar qeverinë e paligjshme të Edi Ramën, ‘Rama ik’.
Cdo e keqe, cdo hall dhe padrejtësi qëndron sot në Shqipëri, nga varfëria te papunësia. Të gjitha burojnë nga një e keqe e madhe. Qeveria e paligjshme e votave të blera shkel dhe dhunuan të drejtat e njeriut, sepse nuk ndjen asnjë përgjegjësi. Në emër të opozitës kërkoj largimin e Ramës dhe qeverisë së tij. Të krijohet qeveria anti-mafia dhe të cojë përpara reformën në drejtësi dhe të përgatisë zgjedhje të lira dhe të ndershme.