Beteja për të drejtat e abortit zhvendoset të shtunën në sheshe në mbarë Shtetet e Bashkuara, ku po mbahen qindra demonstrata si pjesë e një “Marshimi të Grave” për të protestuar ndaj një përpjekjeje intensive konservatore për të kufizuar të drejtën për t’i dhënë fund shtatzënisë.

Lufta është bërë edhe më e ashpër që kur Teksasi miratoi një ligj më 1 shtator që ndalonte pothuajse të gjitha abortet, duke shkaktuar një betejë të vërtetë ligjore dhe një kundërsulm në Kongres, por që deri tani ishte shoqëruar me pak demonstrata publike. Dy ditë para se të mblidhet Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara, e cila do të thotë fjalën e fundit për këtë çështje të nxehtë, gati 200 organizata u kanë bërë thirrje mbrojtësve të të drejtave të abortit që të ngrenë zërin në të gjithë vendin. Tubimi kryesor do të mbahet në kryeqytetin e vendit Uashington, ku mijëra vetë pritet të marshojnë drejt Gjykatës së Lartë, e cila gati 50 vjet më parë njohu të drejtën e grave për abort në vendimin e saj historik “Roe kundër Wade”.

Tani gjykata me shumicë konservatore, duket e gatshme të shkojë në drejtim të kundërt. Ajo tashmë ka refuzuar të bllokojë ligjin e Teksasit dhe ka pranuar rishikimin e një ligji kufizues të Misisipit që mund t’i hapë rrugën një përmbysjeje të precedentit ligjor. Tubime janë planifikuar në më shumë se 600 qytete në të 50 shtetet. Sipas organizatorëve, gati një çerek milioni persona pritet të dalin në të gjithë Shtetet e Bashkuara.

 

Artikulli paraprak“QILIMI SHQIPTAR” I SHIROKËS FITON ÇMIM MES 650 PROJEKTEVE, RAMA: IMAZH UNIK
Artikulli tjetërVJEN NË SHQIPËRI SUPER PAJISJA QË “NUK NJEH MIK”, DO KAP ÇDO SHKELJE NË RRUGË, GJOBA TË VJEN NË SHTËPI