Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, priti sot në një takim përfaqësues të një grupi ish të dënuarish politik të regjimit komunist, pas kërkesës së tyre për të marrë informacion lidhur me dosjet e tyre për dëmshpërblim.
Gjatë takimit, dhe pas ballafaqimit me strukturat përgjegjëse në Ministri, dolën në pah disa problematika dhe vonesa lidhur me trajtimin e mëparshëm disavjeçar të dosjeve të ish të dënuarve. Ministrja Gjonaj mori përsipër ngritjen e një praktike të re pune në Ministrinë e Drejtësisë, që do të ketë në fokus rishikimin e të gjitha kërkesave për dëmshpërblim që janë ende në shqyrtim në Ministrinë e Drejtësisë.
Në këtë kuadër, Ministrja u premtoi ish të dënuarve transparencë të plotë dhe përgjigje në afate të shkurtra lidhur me statusin e dosjeve të tyre. Ministrja e Drejtësisë u angazhua personalisht për trajtimin me objektivitet dhe paanësi të të gjitha kërkesave për shqyrtim.