Një javë përpara se evropianët t`i drejtohen qendrave të votimit për zgjedhjet e Parlamentit Evropian,
me dhjetëra mijëra vetë dolën në rrugët e Gjermanisë duke ngritur zërin e tyre në mbështetje të Evropës e duke dërguar në këtë mënyrë edhe një mesazh të fortë kundër nacionalizmit dhe ekstremit të djathtë.
Protestat janë organizuar në shtatë qytete të mëdha të vendit: në Berlin, Frankfurt, Hamburg, Këln, Lajpcig, Mynih dhe Shtutgart.
Disa prej pjesëmarrësve thanë se në këtë mënyrë kanë kërkuar të tregojnë mbështetjen e tyre për Evropën sepse druhen që Gjermania dhe i gjithë Kontinenti i Vjetër mund t’i rikthehen një kapitulli të errët të historisë.
“Gjyshet kundër të djathtës” e quajtën ata protestën dhe arsyeja, siç shpjegoi një organizatore, ishin rrëfimet e gjyshërve mbi jetën nën regjimin nazist.
Por, edhe pse e mbështesin Evropën, mjaft demonstrues e bënë të qartë mendimin e tyre se Bashkimi Evropian duhet të reformohet nëse dëshiron të jetë i suksesshëm në të ardhmen.
BE-ja ka nevojë për ndryshim, thonë ata, neve na nevojitet një bashkëpunim më i fortë. Protestat në Gjermani po zhvillohen nën moton “Një Europë për të gjithë: zëri juaj kundër nacionalizmit”, me marshimet e mbështetura nga më shumë se 100 organizata të shoqërisë civile dhe parti politike.