Qytetarë dhe simpatizantë të opozitës nga rrethet janë nisur në orët e para të mëngjesit të sotëm drejt kryeqytetit për të marrë pjesë në protestën e organizuar nga opozita e cila zhvillohet në orën 11:00 para Kryeministrisë.
Nisja e protestuesve nga qyteti i Fierit ka filluar që në orën 7:00 të mëngjesit të kësaj të shtune. Të organizuar me automjete e furgone, por edhe me makina private drejt kryeqytetit.
Kreu i PD Fier, ish deputeti Luan Baci thotë se disa prej pjesëmarrësve në protestë janë marrë në telefon nga policia gjatë natës për të mos qenë në proteste ditën e sotme, por të paraqiten në komisariatin e policisë në orën 9:00 te këtij mëngjesi.
Nga Lezha mësohet se janë nisur rreth 10 autobusë drejt protestës së Tiranës. Qytetar te shumte nga qarku Lezhë do mblidhen në kryeqytetin shqiptar për të protestuar ndaj qeverisë.
VLORE
Sipas PD janë rreth 3 mijë persona që do nisen nga qyteti i Vlorës në drejtim të Tiranës. Sipas raportimeve nga gazetarët në të gjitha rrethet e vendit, numri i protestuesve të nisur drejt Tiranës, është më i madhi nga të gjitha herët e tjera. Janë 17 furgonë dhe autobusë të tjera të nisura nga Vlora. Organizmi i tyre është bërë që në orët e para të mëngjesit të sotëm.
SHKODER
Edhe në Shkodër, protestuesit janë nisur drejt Tiranës në orët e para të mëngjesit. Sipas PD në Shkodër janë rreth 6 mijë qytetarë që do marrin pjesë në protestën e Tiranës.
GJIROKASTER
Nga Gjirokastra sipas Partisë Demokratike janë nisur 400 persona dhe në të gjithë qarkun mendohet se janë 1 mijë protestues që do nisen drejt Tiranës. Gazetarja Brikena Metaj raportoi për “BalkanWeb” se nisur nga kjo e dhënë, janë rreth 1000 qytetarë të nisur nga gjithë qarku i Gjirokastrës.
BERAT
Nga qarku i Beratit janë nisur rreth 8 autobusë nga Berati dhe 3 autobusë nga Ura Vajgurore. Sipas PD në këtë qark, janë rreth 1 mijë protestues që pritet të nisen drejt Tiranës.
ELBASAN
700 protestues janë nisur që në orën 8 të mëngjesit të sotëm nga Elbasani dhe pritet të vijnë edhe të tjerë në mënyrë të organizuar. Nga Cërriku, gazetari Fatmir Popja tha se janë nisur rreth 300 protestues. Qytetarët janë nisur me mjete private si dhe me furgonë e autobus.