Protesta e paralajmëruar në Shkodër pas vrasjes së Klodian Rashës ka përfunduar në dhunë dhe me djegien e selisë së PS Shkodër. Situata doli jashtë kontrollit pasi u lajmëruar mbyllja e protestës nga organizatorët. Por një grup të rinjsh vijuan revoltën e tyre duke u rikthyer tek selia e PS dhe duke shkaktuar akte dhunë.
Gjithçka në këtë protestë nisi normalisht dhe në mënyrë krejt paqësore rreth orës 11:20 minuta në sheshin “Luigj Gurakuqi”. Më pas marshimi i protestuesve vijoi me pankarta në duar dhe thirrje kundër qeverisë dhe kryeministrit Rama në pedonale.
Marshimi i protestuesve ka vijuar tek sheshi 2 prilli përballë rektoratit të universitetit “Luig Gurakuqi” për t’u ndalur përballë selisë së PS. Aty nisën goditje me gurë duke thyer xhamat e selisë. Organizatorët e protestës u munduan që të ndalin dhunuesit por situata precipitoi.
Pasi u lajmërua mbyllja e protestës një grup të rinjsh e vijuan revoltën e tyre duke u rikthyer sërish tek selia e PS dhe në atë moment thyen edhe derën e selisë, u futën brenda godinës dhe nxorën jashtë sende të ndryshme duke i vënë flakën.
Ndërsa aktet e dhunës vijuan për disa minuta pa ndërprerje në vendngjarje mbërrin Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë duke hedhur gazlotsjellës dhe duke larguar protestuesit. Në ndihmën erdhën edhe Forcat Shqiponja që krijuan një koridor dhe spostuan protestuesit.
Një zjarrëfikëse pasi situata u normalizua bëri shuarjen e flakëve. Rreth orës 13:30 minuta situata u qetësua plotësisht ku nuk kishte më asnjë protestues. Ndërkohë efektiv të policisë vazhduan të qëndrojnë në zonë ku u kryen aktet e dhunës.